Nderohet humoristi Skënder Sallaku

12/02/2014 00:00

Homazhe në nder të mjeshtrit të humorit Skendër Sallaku u zhvilluan në Teatrin Kombëtar ku morën pjesë të afërm, miq, kolegë, dashamirës të artit dhe politikanë.

Disa nga miqtë dhe kolegët ndanë kujtimet  për sensin e humorit të Artistit të Popullit, talentin në aktrim, por edhe sipas tyre, pozitivitetin që e karakterizonte.

Fadil Hasa, aktor: Sa herë që uleshe me Skënderin, ishte shkollë për mua. Kur thoshte Skënderi që do të të tregoj një gjë duhet t’i ngulje sytë sepse do ta dëgjoje për herë të parë. Nuk kishte përsëritje Skënderi, ishte burim njerëzor dhe kaq bukur saqë duhej të ishe shumë i vëmendshëm, t’ia merrje atij dhe ta bëje tënden, ai s’mërzitej për këtë. Ishte njeri human, njeri zemërmadh shumë.

Sulejman Dibra, ish-drejtor i Estradës së Tiranës, aktor: Ai ishte drejtori i vërtetë i estradës për vlerat si artisti, si drejtues dhe njeri. Në këtë aspekt ishte i papërtuar në gjetjen e detajeve. Ishte aktor shumë i fuqishëm në detaje, shumë spontan, nuk ngecte në skenë. Skënderi mbeti njeriu më i mirë për mua.

Veli Rada, aktor: Kur kemi bërë një turne në Zvicër, Skënderi ka qenë fenomenal në atë turne. Batutën finale e kishte të jashtëzakonshme, të godiste si me çekan. Kishte dëshirë të madhe që ne artistëve të rinj të na rriste.

Mirush Kabashi, aktor: Kishte përkushtim të jashtëzakonshëm. Deri para 1 muaji ishim së bashku në Fier në nderim të Kujtim Spahivoglit. Skënderi ka qenë ndër më entuziastët në atë darkë me barcaletat dhe kërcimin e tij.

U nda nga jeta në moshën 79-vjecare Artisti i Popullit Skendër Sallaku, me një karrierë të pasur pune. Përpos mundjes, i shpallur dhe kampion, e cirkut, rreth 60 vite ia dedikoi aktrimit.

Për vite të tëra u kthye në një figurë të dashur për shqiptarët duke dhuruar të qeshura me batutat dhe personzhet e tij në skenë e në ekran.

Top Channel