Marrëveshja për pensionet

12/02/2014 00:00

Të gjithë qytetarët e Shqipërisë që kanë punuar në Maqedoni e Kosovë dhe anasjelltas, në të ardhmen nuk do të kenë problem të marrin pensionet edhe nëse kthehen për të jetuar në vendlindje. Kjo çështje do të rregullohet brenda vitit 2014 me firmosjen e marrëveshjeve ndërshtetërore.

“Me Republikën e Maqedonisë kemi bërë tre raunde të bisedimeve për të nënshkruar marrëveshjen midis Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Fondit Pensional dhe mendoj se jemi në hapat tanë të fundit për të realizuar këtë marrëveshje, për t’i siguruar bashkëkombësit tanë dhe qytetarët e tjerë, pavarësisht kombësisë, që kontributet e tyre do të miradministrohen nga ana jonë dhe përfitimet e tyre do të merren në kohën e duhur dhe vendin ku ata kanë vendosur për të jetuar”, ka deklaruar Vjollca Braho, drejtoreshë e Institutit të Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë.

“Ende nuk kemi arritur në fazën që të bëjmë analiza të sakta se sa persona do të përfitojnë, mirëpo ajo që është e nevojshme është që të përshpejtojmë firmosjen e kësaj marrëveshjeje me Shqipërinë”, ka thënë nga ana tjetër Bekim Neziri, drejtor i Fondit Pensional dhe Invalidor të Maqedonisë.

Mes Maqedonisë dhe Kosovës një marrëveshje e këtillë ekziston që nga viti i kaluar, por ajo ka hasur në disa probleme gjatë zbatimit në praktikë. Në bazë të të dhënave zyrtare janë rreth 2.500 qytetarë nga Maqedonia që presin të marrin pensione nga Kosova.

Përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës po zhvillojnë në Shkup takime me autoritetet vendore me qëllim shkëmbimin e eksperiencave në sigurimin pensional dhe avancimin e bashkëpunimit në këtë fushë.

Top Channel