ARBEN MANAJ – Askush nga analistët politikë nuk e parashikoi se marzhi i
fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit do të ishte aq masiv dhe i
frikshëm.
Ai rezultat tregoi se kërkohej një përmbysje në qasjen ndaj halleve të individit shqiptar e vendit, dhe ishte besim deri diku, se qeveria e re do të duhej të kishte tërë duart e lira në Parlament për të ndërmarrë ato reforma të nevojshme dhe jetësore.
Shumë gjëra kanë ndodhur ndërkohë, dhe Shqipëria në arsyetimin tim politik, më shumë për arsye ekstra shqiptare, nuk e mori statusin e vendit kandidat dhe së shpejti Fyle, eurokrati që merret me zgjerimin europian, ndoshta një nga postet që do të ketë garanci mbi dhjetëvjeçare të paktën në Komisionin Europian, do të vijë sërish në Tiranë për të dhënë disa mesazhe.
Mes tyre, përveç luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, do të jetë nevoja për reforma të thella dhe të shpejta, pa harruar edhe bashkëpunimin politik mes pozitës dhe opozitës, për të qenë pse jo edhe politikisht dhe institucionalisht korrekt. Aktualisht, duket se opozita, me dhe në të drejtën e vet politike e parlamentare, po luan kartën e presionit ndaj mazhorancës për ta detyruar atë që të pranojë shumë nga aksionet e saj politike, të cilat argumentueshëm mund të jenë, sipas një arsyetimi në të mirë të vendit, e sipas një tjetri, për të minuar performancën e pushtetit të ri politik në vend.
Opozita politike e di shumë mirë sensitivitetin ose porosinë që vjen në parim, nga institucionet e Brukselit apo dhe përtej Atlantikut, për domosdoshmërinë dhe imperativin sërish në princip për një normalitet demokratik, nisur nga historia jo aq impresionuese e Shqipërisë në mandatet e kaluara.
Duke e ditur këtë element, ajo edhe pse e holluar, edhe pa asnjë ndikim praktik dhe efektiv në Parlament dhe pa asnjë shans për trysni përmes kombinacioneve dhe akrobacive të mundshme me forcat e tjera politike parlamentare, pasi dy të tretat janë aty për mazhorancën, po përpiqet të përdorë pragstatusin ose qershorin e ardhshëm, por edhe mesazhin standard që jep çdo i huaj apo emisar i Perëndimit, sa herë viziton Shqipërinë, mesazhe që di t’i thotë tashmë përmendësh edhe një adoleshent i painteresuar politik Facebook-u.
Qeveria Rama ndodhet disi dhe çuditërisht e kompleksuar nga dështimi i mosstatusit dhe dëshiron të shihet në Bruksel se po bën gjithçka për të zbutur opozitën, e cila, edhe pse e futur në ujë, sërish kërkon të imponohet.
E vetëdijshme se mazhoranca e re, edhe nën ndikimin politik të Metës, kërkon të mbajë sa më shumë ura komunikimi të hapura me opozitën, Partia Demokratike, deri tani, ka arritur të eliminojë dhe neutralizojë tundimin e supermazhorancës për të përdorur kartonin, dhe deri këtu ka meritë.
E ndihmuar në aksionet e saj edhe nga drejtësia, opozita
ka sfumuar në ndonjë rast dy të tretat e pushtetit parlamentar të Ramës.
Në demokraci, padyshim sa ç’është ideale bashkëpunimi mes forcave politike për të mirën e vendit dhe reformave që i bën çdo pushtet që del pas zgjedhjeve, po aq është normale që ky pushtet i mandatuar të operojë edhe në bazë të mandatit të marrë, pasi sovrani ka pasur dëshirën në ditën e zgjedhjeve që gjërat të bëhen ndryshe nga paraardhësi.
Rama dhe koalicioni i tij stratosferik, ndodhen përpara dilemës së madhe të të kënaqurit të opozitës dhe përmbushjes së premtimeve të bëra që kërkojnë ndërhyrje të dhimbshme.
Ky është një shans do të thosha i fundit në demokracinë shqiptare, dhurata konstante të pushteteve të Berishës, sa herë kanë ndodhur, që një koalicion do të ketë mundësi të ketë një mandat kaq të madh në numra, çka do të mundësonte ndryshime dhe ndërhyrje në Kushtetutë.
Parandjenja ime është se nëse qeveria Rama do të dojë të shfrytëzojë këtë shans të artë që ka për të korrigjuar shumë nga papërsosmëritë demokratikë të ish-kryeministrit me mentalitet autokrati, që sot përkëdhelet si askush në Parlament, ka vetëm afro tre vjet kohë politike për ta bërë një gjë të këtillë dhe vetëm brenda këtij mandati.
Zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë me këtë marzh parlamentar. Këtë e di shumë mirë opozita, ndaj kërkon t’i hajë sa më shumë kohë kësaj qeverie, që ta tërheqë në debate dhe ta kompleksojë me anatamime, dhe t’ia heqë këtë avantazh, a thua se qeveria e saj ishte shumë më e avancuar se kjo e sotmja në këtë fushë bashkëpunimi politik parlamentar me opozitën e saj.
Por kjo është brenda luftës politike të opozitës, e ndoshta edhe qeveria e sotme do të bënte të njëjtën gjë, nëse do të ishte në vendin e saj. Çështja është se vendi ka nevojë për ndërhyrje të dhimbshme kirurgjikale demokratike, nëse Shqipëria do të duhet të përafrohet me legjislacionin e BE-së, në rastin më të mirë.
Në rast se opozita nuk i shtrin këmbët sa ka jorganin kur vjen puna te presioni realist dhe i pritshëm që mund të bëjë ndaj kësaj mazhorance jonormale, realisht në një demokraci normale, apo nëse pushteti do të vazhdojë të kompleksohet qoftë edhe nga mesazhet rutinë të ardhura nga Perëndimi, për bashkëpunim me opozitën, që doemos nuk është i kushtëzuar apriori, Rama do të humbasë një oportunitet unikal për reforma, për të cilat në vende të tjera konsumohet shumë kohë dhe energji politike për kompromise.
Respekti politik ndaj opozitës dhe më të voglit politik nuk tregohet me gjeste alogjike përkëdhelish sans frontier në Parlament për ish-kryetarin formal të opozitës, sesa në dorën e shtrirë për aq sa mbahet me dinjitet një dorë e shtrirë, për t’u shtrënguar dhe mirëpritur, si dhe një transparencë dhe sinqeritet xhenuin për të qenë i hapur dhe bashkëpunuese me të, në rast se ajo reciprokon.
Në fund të ditës, realizmi politik është i domosdoshëm nga të dyja palët, të cilat do të duhet të shpresojnë për më të mirën dhe të përgatiten për më të keqen.
Sovrani vetëm e ka fuqinë madhore të vlerësojë dhe promovojë kur mendon se je me ide dhe ke vizion, por njëkohësisht edhe të ndëshkojë kur ke vizion, por nuk ke këllqe ta aplikosh atë përmes pushtetit dhe forcës së kartonit demokratik, pavarësisht nga arsyet dhe rrethanat politike apo mbimoderacioni i keqkuptuar.
Top Channel