Shqiptarët e mëdhenj të muzikës

10/02/2014 00:00

Brenda pak ditësh muzika shqiptare humbi tre emra të mëdhenj. Më 26 janar ndërroi jetë kolosi i muzikës popullore, Laver Bariu, më 4 shkurt violinisti i madh, profesori Ibrahim Madhi mbylli sytë në moshën 68-vjeçare pas një sëmundje të rëndë dhe dy ditë më vonë nga Bazeli i Zvicrës mbërriti një tjetër lajm i hidhur: Vaçe Zela shuhet në moshën 75-vjeçare.

Ata ikën, por vepra e tyre do të mbetet përgjithmonë në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve. Por si i kujtojnë këngëtarët dhe artistët e tjerë që kanë jetuar dhe punuar me ta? Për të folur për këtë në panelin e “Shqip” të kësaj të hëne me gazetaren Rudina Xhunga ishin të ftuar dirigjenti Zhani Ciko, publicisti Bujar Kapexhiu, këngëtarja Irma Libohova, Rektori i Universitetit të Arteve Petrit Malaj dhe në lidhje direkte nga Prishtina, këngëtarja Shpresa Gashi.

“Ajo i dha zërin dhe zemrën Shqipërisë. Unë ditën e homazheve bëra një shënim dhe shkruajta me bindje ku thashë që kam qenë me fat që kam jetuar në një kohë kur shkëlqeu Vaçe Zela. Ajo që na ngelet ne sot është që duhet të kemi respekt për këta njerëz jo vetëm kur s’i kemi më mes nesh, por edhe sa janë gjallë. Njerëz të tillë, figura të tilla, ne duhet të eksplorojmë shumë, kjo është shkenca jonë. Këta njerëz të mrekullueshëm”, tha Rektori i UA, Petrit Malaj.   

Ndërsa Zhani Ciko u kthye vite pas në kohë, për të kujtuar ditën e arta të Vaçes: “Më kujtohet qëndrimi social i Vaçes, e cila nuk u tregua ambicioze për të shfrytëzuar pozicionin, por u tërhoq për t’u paraqitur sërish vitin e ardhshëm me një tjetër këngë”, deklaroi dirigjenti Zhani Ciko

Ibrahim Madhi

Në pjesën e dytë “Shqip” u ndal tek një tjetër emër kolos i muzikës shqiptare, tek violinisti Ibrahim Madhi.

Dirigjenti Zhani Ciko, një ndër miqtë më të hershëm të profesor Madhit tha se ai ka qenë një djalë super i talentuar që me kontributin e tij ndihmoi në ngritjen e orkestrës së radios që në moshë të re.

Rektori Petrit Malaj tha se Madhi është brezi i artë i muzikës shqiptare, por tha se kjo nuk do të thotë që arti shqiptar nuk po nxjerr më emra të tillë. Ai përmendi Inva Mulën, Ermonela Jahon e të tjerë artistë shqiptarë me emër dhe famë mbarëbotërore.

Laver Bariu

Për dirigjentin Zhani Ciko Laver Bariu ishte ustai më i madh u muzikës popullore të trevave të jugut, ndërsa muzikologu Vasil Tole deklaroi se Usta Laveri i “europianizoi muzikën popullore qytetare të jugut”. Ai tha se Laver Bariu dhe familja e tij nuk janë vlerësuar sa duhet nga shteti, jo vetëm për veprën e Ustait, por edhe për vëllezërit e rënë dëshmorë në luftën për çlirim.

“Gjatë një bisede, që unë e ka zbardhur edhe në libër, Usta Laveri më tregon se kabanë vajtuese e kishte nisur për të qarë vëllezërit e rënë dëshmorë në luftën partizane”, tha Tole.

Në fund të ftuarit në një mendje thanë se këta emra të mëdhenj të muzikës shqiptare i dhanë më shumë se sa ç’morën dhe po marrin nga ky vend.

Top Channel