ANDREA STEFANI – Miratimi në Parlament i kërkesës së opozitës për
ngritjen e një komisioni që do të hetojë ligjshmërinë e shkarkimeve dhe
emërimeve në polici, është etiketuar dhe komentuar në mënyra të
ndryshme.
Dikush e ka komentuar si triumf i konsensusit. Jo pak nga mbështetësit e qeverisë e kanë komentuar si një lëshim i pamerituar që i bëhet Berishës dhe opozitës së tij destruktive. Në të kundërt, mbështetës të opozitës e kanë komentuar ngjarjen si një fitore të saj dhe zbythje të Edi Ramës. Cila është e vërteta?
***
Në gjykimin tonë, e vërteta qëndron shumë larg këtyre opinioneve. Para së gjithash, ngritja e komisionit hetimor në fjalë nuk ka të bëjë fare me konsensusin. Sepse ajo është, as më shumë dhe as më pak, veçse zbatim i asaj që urdhëron Kushtetuta e Republikës. Në nenin 77 të dokumentit themeltar të shtetit shkruhet se “Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimor për të shqyrtuar një çështje të veçantë”. Pra, i pëlqen apo nuk i pëlqen, shumica e sotme e majtë ka qenë e detyruar nga Kushtetuta, nga vullneti i sovranit të mpiksur në të, që të ngrejë komisionin hetimor të kërkuar nga opozita. Shumica i është bindur Kushtetutës ndonëse nuk ka qenë fare e bindur në nevojën e këtij komisioni. I është bindur Kushtetutës duke respektuar një të drejtë të pakicës për të kontrolluar ligjshmërinë e akteve të qeverisë. Dhe kjo është e reja në gjithë këtë histori: një shumicë, për më shumë dërrmuese, i bindet Kushtetutës duke hequr dorë nga arroganca.
***
Ngjarja nuk është një zbythje e Edi Ramës. Nuk është pra dobësi e mazhorancës së sotme dhe qeverisë së saj. Në të kundërt, ajo tregon forcë. Ajo shënon agimin e një politike të re dhe agoninë e traditës së shumicave tiranike që kemi vërejtur në 8 vitet e kaluara, por edhe më parë. Sepse gjatë 8 viteve të fundit, kur në mazhorancë dhe qeveri ishte autokrati Berisha, e drejta e opozitës për të kontrolluar ligjshmërinë e bëmave të qeverisë me anë të komisioneve parlamentare është nëpërkëmbur e deri dhunuar. Mjafton të mbash parasysh se nga 12 kërkesa të paraqitura nga opozita në 8 vjet, asnjëra prej tyre nuk është miratuar, për të kuptuar që arroganca dhe mospërfillja e ndjeshmërive të opozitës nga ana e shumicës së djeshme kanë qenë ekstreme. Ka zëra nga kampi i majtë që pretendojnë se mazhoranca e sotme duhet t’i përgjigjej opozitës berishiste me të njëjtën monedhë pra, me të njëjtën arrogancë dhe mospërfillje. Nëse sot Berisha do të ishte në pushtet Bylykbashëria e juristëve të tij do të sajonte lloj-lloj pretekstesh juridike për të mos ngritur komisionin hetimor. Qeveria e sotme nuk mund të veprojë kështu nëse synon rilindjen e shtetit gjë që nuk mund të bëhet, nëse pushteti nuk i bindet Kushtetutës. Demokracia nuk mund ta luftojë autokratizmin duke kopjuar metodat e tij. Berishizmi në opozitë nuk mund të luftohet duke iu kundërvënë me metoda berishiste. Po të veprohej kështu, e drejta do të transferohej në anën e berishizmit dhe në vend se të mposhtej përfundimisht, ai do të ringrihej. Prandaj mjeti më i mirë për të mposhtur, por edhe për të çrrënjosur autokratizmin berishist si praktikë politike dhe mendësi, është zbatimi i Kushtetutës. Shumica e sotme sapo e bëri një gjë të tillë dhe kjo nuk është as dobësi, as zbythje as humbje. Është triumfi i logjikës së shtetit kushtetues mbi egoizmin dhe arrogancën, jo pak herë rrënuese për shtetin, të pushtetit. Prandaj është një fitore.
***
Vështirë se akti kushtetues i mazhorancës do të ketë ndonjë efekt emancipues mbi segmentin e opozitës berishiste. Madje ka shumë të ngjarë që, në fshehtësi, ata të jenë dëshpëruar nga ngritja e komisionit hetimor për lëvizjet e njerëzve në polici. Për dy arsye: Së pari, sepse do të jenë të detyruar të hetojnë gënjeshtrat e tyre. Dhe së dyti, sepse ju iku nga dora shansi për të krijuar konfliktualitet, për të dalë në rrugë dhe për të protestuar “për shkeljen e kushtetutës” nga shumica. Kuptohet, merakun nuk e kanë as te Kushtetuta, as te demokracia apo integrimi madje, as te lëvizjet në polici që, sa qenë në pushtet, i bënë si deshën pa përfillur as ligj e as Kushtetutë. Thjesht duan një pretekst për konflikt politik dhe destabilitet, për ta rrëzuar sa më shpejt këtë qeveri që i kërcënon me antikorrupsion. Prandaj nuk japin as konsensus për reformën administrative që qartazi është në shërbim të shtetit dhe jo të pushtetit. Prandaj janë bërë si fallxhoret ndjellakeqe që kasnecojnë skenarë si ai i Ukrainës ose, sikundër shkruante RD dje, që pranvera e Bosnjës po afron në Tiranë. Nuk arrijnë të kuptojnë se me rënien e Sali Berishës më 23 qershor, pranverat e tiranëve dhe tiranisë në Tiranë, kanë marrë fund.
Top Channel