Kaosi i diplomave fiktive apo të falsifikuara, i studentëve të papërgatitur dhe i profesorëve pa standarte mësimdhënieje pritet të marrë fund.
Profesor Arian Gjonçaj, i cili është në krye të komisionit për reformën në arsimin e lartë, që përbëhet nga një staf i përzgjedhur nga universitete publike e jo publike, tha se një ndër elementet kryesor të draftit të parë është edhe rritja e konkurrencës mes universiteteve.
“Është menduar që një nga arsyet e eficencës së sistemit britanik është se në bazë të tij është konkurrenca direkte mes universiteteve”, thotë Gjonçaj.
Për herë të parë do të krijohet një ent i pavarur i cili do të verifikojë të gjitha dosjet e të rinjve që do të konkurojnë për në universitete. Vetëm pas këtij verifikimi dosjet do të dërgohen pranë universiteteve të cilat do të japin vendimet e tyre të pavarura.
“Ky ent nuk do të merret me përzgjedhje, por merr dosjen e studentëve dhe ia çon universiteteve. Këto universitete, në bazë të kritereve, japin ose jo ofertën për studentin. Këtu është thelbi i konkurrencës: studenti, nëse ka dy oferta, do të zgjedhë universitetin më të mirë”, shpjegon Gjonçaj.
Në lidhje me konkurrencën mes universiteteve publike dhe jopublike, Gjonçaj tha: “Nëse një student ka mesataren e duhur për të shkuar në një universitet, shteti duhet t’i mundësojë shkuarjen në këtë universitet duke e mbuluar financiarisht në mënyrë të plotë. Universiteteve do i krijohen mundësira financimi përtej atij shtetëror. Mund të ketë bamirësi, realizimi i punëve kërkimore shkencore ose projekte të ndryshme.”
Tregu i punës po kërkon gjithnjë e më shumë profesione të rëndësishme për vendin, të cilat të rinjte nuk i preferojnë, ndaj është i rëndësishëm subvencionimi i tyre: “Kemi degë të rëndësisë kombëtare si matematika dhe fizika. Studentët nuk duan të shkojnë atje, por degë të tilla duhen subvencionuar pasi vendi nuk ka nevojë vetëm për sociologë, ekonomistë apo juristë. Shqipëria ka nevojë edhe për agronomë, veterinerë, fizikantë etj. Duhet filluar të krijohen profilizime. Për shembull, Vlora ka pasur një traditë të mirë për shkollën tregtare dhe shkollën e marinës.”
Implementimi i këtij drafti që kërkon të fuqizojë universtitete duke i dhënë atyre autonomi, por edhe duke i vënë përballë një konkurrence të drejte, do të kërkojë kohë, por është e vetmja rrugë që diplomat e Shqipërisë të njihen dhe vlerësohen edhe në tregun e huaj.
Top Channel