Vaçe Zela “kthehet” në shtëpi

07/02/2014 00:00

Mbërriti në Tiranë rreth orës 18.00 pranë apartamentit të saj trupi i Artistes së Popullit, Vaçe Zela, i shoqëruar nga të afërm dhe Policia e Shtetit. Kortezhi hyri pasdite në doganën e Morinës në Kukës, pas ceremonisë së zhvilluar në Prishtinë.

Në banesën ku jetoi për shumë vite në kryeqytet, trupi i saj do të qëndrojë deri të shtunën në mëngjes. Më pas, në mjediset e TKOB do të zhvillohen homazhet nga ora 10.00-12.00. Organizimi i tyre ka nisur nga MK, nën vëmendjen e kryeminsitrit Edi Rama.

“Do jetë një ceremoni e veçantë, e denjë për një artiste si Vaçe Zela. Gjithkush do të mund të bëjë homazhe dhe të lërë shënime përkujtimore. Do të jetë një ceremonial i Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me kryeministrin, që u kujdes vetë për të gjitha detajet për himazhin e Vaçe Zelës, që do të largohet por do të na lërë zërin e saj”, deklaroi ministrja Mirela Kumbaro.

Pas përfundimit të homazheve, trupi i artistes do të niset nga TKOB për në varrezat e Sharrës, ku në orën 13.00 do t’i jepet lamtumira e fundit ikonës së muzikës shqiptare.

“Udhëtimi” i fundit në Kosovë
Prishtinë, homazhe për ikonën e muzikës shqiptare

Dëshira e fundit e ikonës së muzikës shqiptare, Vaçe Zela, për të kaluar në tokën e Kosovës u realizua. Trupi i Vaçe Zelës, të premten rreth  orës 14 mbërriti në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, nga Zyrihu i Zvicrës.

Me një ceremoni të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, homazhe i bënë personalitete të artit e njerëz të afërt të këngëtares.

“Është një dhimbje shumë e madhe, një humbje për gjithë popullin. Dëshira e saj ishte të kthehej në atdhe dhe të varrosej atje. Kjo po realizohet”, u shpreh vëllai i këngëtares, Hysni Zela.

“Jam i ndjeshëm se ime shoqe e meritonte këtë dashuri dhe respekt, megjithatë mundohem ta imagjinoj sikur ajo ta përjetonte në vetën e parë këtë gjë, çfarë mbresah do të kishte. Vaçja ka pasur një dëshirë që nuk u shua kurrë për të ardhur në Kosovë pas çlirimit”, tha më pas bashkëshorti Pjetër Radiqi.

“Nder i kombit. Mbretëria e këngës mbeti pa mbretëreshë. Kam trefish emocione, se një nga amanetet e saj ishte t’i kalonte trupi nëpër Kosovë”, tha Agim Doçi, poet dhe mik i Vaçe Zelës.

Këngëtaret e shquara dhe miket e Vaçe Zelës nga Kosova, Nexhmije Pagarusha dhe Shpresa Gashi, me lotë në sy kujtuan mbretëreshën e këngës shqipe.

“Jam keq, por jam e lumtur. Unë Vaçen e kam shpirt. Unë me të kam jetuar. Ajo do jetë gjithmonë me mua. Trupi i saj nuk do të jetë, por shpirti po”, tha Pagarusha.

“Është një humbje e madhe. Unë e kujtoj jo vetëm si një njeri të veçantë e unik, por edhe si një shpirt i madh artistik, me një inteligjencë të madhe dhe humor të sofistikuar”, tha Gashi.

Për institucionet në vend, ikja e Vaçe Zelës është humbje e madhe për mbarë kombin, por vepra e saj do të mbetet si një ndër trashëgimitë më të rëndësishme në vend.

“Në emër të Ministrisë së Kulturës shprehim ngushëllimet më të thella për humbjen e një këngëtareje të madhe si Vaçe Zela. Kjo është një humbje e madhe për kombin shqiptar dhe këngën. Ajo mbetet ambasadorja më e mirë e këngës shqipe”, tha Jehona Shyti.

“Vaçja me zërin e saj i ka kënduar këtij vendi, kombit tonë dhe kjo dëshirë që po i plotësohet sot është nderimi më i madh që po i bëhet asaj. Është një detyrim për këtë grua që i ka dhënë emër Shqipërisë”, tha Islam Lauka, ambasor i Shqipërisë në Kosovë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ishte i pranishëm në ceremoni, pasi ndodhet në SHBA për vizitë zyrtare. Nga Kosova trupi i Vaçe Zelës u nis në udhëtimin e saj të fundit, i përcjellë me protokoll shtetëror deri në piken kufitare te Vërmicës. 

Top Channel