Monopol grek mbi duhanin shqiptar

07/02/2014 00:00

Ministria e Bujqësisë ka udhëruar ngritjen e një task force për të verifikuar në terren problemet mes firmës greke dhe kultivuesve të duhanit, prodhimi i të cilëve ka mbetur stok.

Në një takim me Ministrin e Bujqësisë Edmond Panariti, fermerët thonë se firma greke e cila ka monopolin e tregut të duhanit ka ulur cmimin vetem në 100 lekë për kg dhe ka shkelur kontratën sa i përket afateve të grumbullimit të prodhimit.

Përfaqësuesi i kompanisë greke i pranishëm në takim thotë se firma ka vepruar konform ligjit. Por Ministri Panariti paralajmëroi masa ndëshkuese në rast të verifikimit të shkeljes së kontratës nga ana e saj.

“Nuk mund të justifikohet që edhe në atë kontratë ku është caktuar çmimi, ata të kërkojnë shitjen me një çmim diskriminues. Do kërkohet llogari përse janë shkelur termat e kontratës dhe do të marrim masa”, deklaroi Panariti.

Duke iu përgjigjur kërkesës së fermerëve që ky treg të mos jetë monopol i një firme, ministri Panariti tha se do të shihet mundësia e liberalizimit të tij për të mbështetur prodhimin vendas.

“Ne synojmë që tregun ta hapim dhe të mos spekulohet, në mënyrë që të shmangim përplasjen mes fermerëve dhe firmave blerëse”, nënvizoi Panariti.

Top Channel