Leonard Boduri – Zyrtarisht, grupi i anëtarëve të LSI-së në Këshillin
Bashkiak të Tiranës ka kërkuar rikthimin e emrit “Dëshmorët e 4
Shkurtit” në një rrugë të kryeqytetit. Në sintoni të plotë me këtë
kërkesë edhe z.Luan Rama, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, ka botuar
në të përditshmen Panorama një koment të gjatë mbi rëndësinë që duhet
t’i kushtojmë vetëdijes historike dhe domosdoshmërinë e vlerësimit të
kësaj dite, si pjesë e simboleve të Luftës Antifashiste
Nacionalçlirimtare.

Me një mbrojtje totalisht të panevojshme ai nuk ka harruar të sulmojë ashpër “autorët” e heqjes së emrit të dikurshëm të rrugës që sot mban emrin “Ibrahim Rugova”. Të gjithë duhet të mirëkuptojmë z. Luan Rama, pasi edhe ai si një pjesë e mirë e anëtarëve të LSI-së që prej 1 prillit të vitit të shkuar ka bërë një fshirje dhe riformatim të “memories” politike dhe nuk ka se si të ketë parasysh se vendimi i marrë në vitin 2011 nga Këshilli Bashkiak për t’i vendosur kësaj rruge emrin e një prej personaliteteve shqiptare më të rëndësishme, “Ibrahim Rugova”, ka marrë edhe votën “pro” të këshilltarëve të LSI-së. Me këto qëndrime z. Rama mbase mund të ketë qëllim rritjen e debatit dhe kritikës së shëndoshë brenda ambientit të partisë së tij, pasi qëkur z. Berisha shmangu komentin mbi shfaqjen në Fiks Fare të videos Meta-Prifti, duke folur me pasion për arrorët, edhe vetë LSI-stët e kanë kuptuar që kanë mbetur jashtë valës së diskursit politik, prandaj është e nevojshme që herë pas here të ndizet një debat i brendshëm, duke hedhur akuza kundër vetvetes. Në këtë pikëpamje bumerangu i qëndrimeve politike të anëtarëve të LSI-së nuk duhet të përbëjë lajm për askënd, por duhet të kuptohet si një dukuri e nevojshme për përparimin e mëtejshëm të kësaj force politike.

Inkuizicioni laik – Keqkuptimi për laicitetin  

Promovimi i laicitetit (jo i ateizmit) ka të bëjë me natyrën neutrale të shtetit, Kushtetutës dhe ligjeve të një vendi, si dhe me ngritjen e një sistemi të veçantë dhe jodiskriminues vlerash. Laiciteti është një koncept që tregon mungesën e angazhimit fetar në çështjet e qeverisjes, si dhe mungesën e përfshirjes së qeverisë në çështjet fetare. Mirëpo në vendin tonë në emër të laicizmit të keqkuptuar dhe të barazuar me ateizmin, ka ndodhur që nëpërmjet disa rregulloreve të shkollave (prevalon subjektivizmi i rregullores mbi Kushtetutën) të nisë një “kryqëzatë” antishkollim, duke përjashtuar anëtarët e besimit islam që të ushtrojnë të drejtën e arsimimit. Fundamentalizmi ateist (i vetëquajtur laik) me një gur ka goditur dy të drejta të individit që kanë të bëjnë me të drejtën e besimit dhe të edukimit, por këto veprime antikushtetuese janë justifikuar me “luftën laike” ndaj “ferexheve dhe të festeve” që do të na sjellë përparimin sipas oksidentit. Mohimi i të drejtës kushtetuese të edukimit dhe njëkohësisht përdhosja e së të drejtës së besimit me pretekstin se disa vajza janë veshur “më shumë seç duhet” për të përmbushur kriterin e laicitetit është i turpshëm dhe qesharak. Për fat të keq në këtë grackë intolerance me ose pa dashje kanë rënë shpesh edhe individë “të rëndësishëm” dhe më të drejta “më të barabarta” se të tjerët. Së fundmi, z.Blushi, i cili ka edhe guximin të sulmojë ata që nuk ndajnë të njëjtin mendim me të, ka nxjerrë një pretendim të çuditshëm mbi emërimin e një ambasadori (emërim që nuk na intereson aspak). Blushi e legjitimoi qëndrimin e tij kundër emërimit të z. Ermir Gjinishi, si ambasador i Shqipërisë në Arabinë Saudite, pasi ai nuk mund të toleronte qëndrimin e këtij të fundit pro “ferexheve” në arsimin publik. Në një kohë kur për vende si Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe Anglia “ferexheja” nuk lë askënd jashtë dyerve të shkollave publike, as profesorët dhe as studentët dhe ky rregull nuk rrezikon “islamizimin” apo “fetarizimin” e shkollave publike, në Shqipëri kjo e drejtë e individit është e papranueshme për inkuizicionin modern “laik”. Për ironi të fatit, në Shqipërinë me shumicë myslimane (referuar censusit të fundit) “laiciteti” i shtetit të bën gjëmën, të lë pa shkollë. A ka gjë më të dhunshme se ky qëndrim? Na rroftë bashkëjetesa fetare! Në kuadër të pretekstit të pretenduar kundër emërimit dua të sjell në vëmendjen e Blushit se pjesëmarrja në Parlament e patriotit të madh, Fan Stilian Noli, (prift ortodoks) dhe më pas qëndrimi në krye të qeverisë së një vendi të vogël me shumicë myslimane, jo vetëm që nuk ka rrezikuar laicitetin e shtetit shqiptar por ka qenë, në këndvështrimin tim, pjesëmarrja në politikë më e vlefshme në historinë e Shqipërisë. Fatkeqësia e kombit tonë është se nuk kemi më politikanë të kalibrit të atij kolosi të letrave dhe të politikës, patriot dhe rilindës i vërtetë, i cili mund të “cenonte” laicitetin e shtetit tonë, sipas mendimit të tipit “Blushi” dhe të inkuizicionit laik.

 

“Zbulimi” i jashtëzakonshëm i Ylli Manjanit

Në kuadër të debateve për reformën territoriale zëvendësministri i Transporteve dhe i Infrastrukturës, Ylli Manjani, është shprehur pak ditë më parë se e konsideron reformën të vonuar, si dhe këmbëngul me kokëfortësi që procesi i ndarjes së re administrative nuk është aspak politik. Kriteri kyç i kësaj reforme, sipas tij, është Shqipëria funksionale. Nga ana tjetër, në të njëjtën deklaratë, kundërshton hapur veten e tij, duke thënë se në themel të rezistencës që po bën PD-ja është vetëm sikleti i saj elektoral (natyrisht jo vetëm i saj) dhe sidomos i pozicionit të kryetarit të saj, z. Basha, që do ta ketë shumë të vështirë të mbajë Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale të 2015-s. Sipas tij, dobësia e brendshme e opozitës shfaqet me mungesën e bashkëpunimit dhe konsensusit në procesin e ndarjes së re territoriale. Përfaqësuesi i LSI-së, z. Manjani, me anë të një lajthitjeje të plotë në komunikim për arsyet dhe mosarsyet politike të pjesëmarrjes së opozitës në proces na ka bërë të qartë forcën e kartonëve, duke theksuar se të dy forcat kryesore të mazhorancës i kanë votat për të kaluar reformën territoriale në Parlament dhe nuk kanë ndërmend që t’i bëjnë shumë temena opozitës. Ultimatumi “Manjani” rreket të na mbushë mendjen se kjo ndarje e re territoriale nëpërmjet përdorimit të statistikave të publikuara në KQZ “kurrsesi” nuk mund të favorizojë ndonjë forcë politike, ose ndonjë koalicion politik dhe nuk përbën “fare” një proces politik. Sipas Manjanit, lidhja e vetme e reformës territoriale me politikën ka të bëjë në mënyrë ekskluzive vetëm me karrigen e z.Basha në krye të Bashkisë së Tiranës. Madje, Manjani në një moment hidhet në sulm dhe thotë se kryetari aktual i bashkisë së kryeqytetit po qeveris padrejtësisht, pasi rreth 25 mijë votat që e çuan atë në krye të bashkisë janë të LSI-së. Zbulimi i z. Manjani është epokal. Ai në mënyrë të përmbledhur thotë se procesi politik i ndarjes së re territoriale nuk është aspak politik, ose është pak politik vetëm për Bashkinë e Tiranës. Këtij zbulimi të fundit i marrin të keqen edhe citatet gjeniale të Nard Ndokës…

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA