Top-Story, “lufta” e gazit

06/02/2014 00:00

Prej disa ditësh vazhdon jehona e lajmeve në lidhje me aktivitetin e të ashtuquajturës “Bandë të Tritolit”, e drejtuar nga Julian Sinanaj, që ka zbuluar pikërisht gjëra që sollën më pas edhe disa arrestime të tjera të bujshme.

Bëhet fjalë për konflikte në një prej sektorëve më strategjikë të vendit, në hidrokarbure, kur një biznesmen import-eksporti gazi kishte urdhëruar vrasjen e një konkurrenti.

Sinanaj, përpara Prokurorisë dëshmoi se e kishte takuar Karçinin katër herë për vrasjen e zotit Pirro Bare.

Sigurisht, ditët pas arrestimit të zotit Karçini nisi një debat shumë i vjetër në gjirin e këtij sektori të industrisë, për konkurrencën e ndershme e të pandershme mes firmave, e për firmat që akuzojnë zotin Bare për uzurpimin e paligjshëm të import-eksportit të gazit në vend.

Por, si funksionon bota e biznesit në Shqipëri dhe sa shumë ndikon politika ndikon në të? Kjo ishte tema e ditës së enjte në emisionin e përjavshëm të Sokol Ballës, në “Top-Story”, me të ftuar, zonjën Lindita Lati, kryetare e Autoritetit të Konkurrencës, Ilirjan Brokaj, kryetar i Shoqatës së Import-Eksportit të Gazit, analistin Lutfi Dervishi dhe Mentor Kikia, kryeredaktor i lajmeve në “Top-Channel”.

Duke nisur bisedën i pari, zoti Kikia kujtoi se Karçini, i akuzuar si porositësi i vrasjes së rivalit, disa herë kishte kontaktuar mediat për të denoncuar disa skandale në fushën e hidrokarbureve. “Në fakt, e kujtojmë zotin Karçini qëvinte në redaksitë e mediave për të denoncuar një histori që sipas tij lidhej me një episod të konkurrencës së pandershme, pasi i kishin bllokuar një anije në Vlorë. Kjo ndodhi diku nga viti 2008-09 e kur doli Karçini në skenë u riktheva të rishikoja denoncimet e tij dhe i gjeta. Kjo histori e vrasjeve të porositura ka qenë e pranishme në të gjithë studio e televizioneve, janë thënë të bëra dhe të pabëra histori që janë apo jo të vërteta, por mbi ngjarjen janë thënë gjithçka, kështu që mendoj se ka ardhur koha dhe është momenti që mes atyre pyetjeve që duhet t’i përgjigjemi të japin edhe një përgjigje për një pyetje tjetër: “Pse?””, deklaroi Kikia.

Sipas Lufti Dervishit, analistit dhe ish-kreu i “Transparency International” në Shqipëri, një organizatë e mirënjohur që merret me matjen e indeksit së korrupsionit dhe konkurrencës çmoi se “këto fenomene nuk janë fenomene të reja në vendet në tranzicion dhe ky është edhe konstatimi i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit, për Kaukazin, Ballkanin e Europën Lindore. Është një fenomen që shoqëron këtë tranzcion, si oligarkët famëkeq të Kaukazit dhe oligarkët në krijim në Shqipëri. Në “Transparency International” ka qenë fjala kryesore transparenca dhe kjo është një ngjarje shqetësuese jo vetëm për atë që ka dalë në sipërfaqe, pasi si një ajsberg pjesa më e madhe s’ka dalë ende në sipërfaqe. Shqetësimi për monopolet, kartelet e duopolet janë ngritur edhe nëpërmjet institucioneve në të shkuarën, ndoshta edhe pa vëmendjen e duhur. Në vende të tjera të perëdimit, instuticionet i kanë dhëmbët e forta, ndërsa këtu tek ne kjo nuk ndodh”.

Në rimarjen e fjalës, zoti Kikia nënvizoi se pa justifikuar asnjë veprim kriminal, është e rëndësishme që të kuptohen arsyet që kanë motivuar këtë grindje mes biznesenëve që mund të përfundonte me vrasjen e një prej zotëruesve të një prej kompanive më të mëdha të import-eksportit të gazit në Shqipëri. “Duke mos pasur mundësinë të bëjmë hetuesin në studio, i marrim të mirëqëna faktet që njihen. Nisemi dhe do të flasim për gjetjen e ndonjë arsye të kësaj historie dhe nuk dua që dikush që na ndjek të mendojë se shkaku pse u shkua deri këtu justifikon atë që do të ndodhte. Ai është një akt kriminal dhe nëse vërtetohet shteti duhet të veprojë. Ne jemi këtu për të hapur një debat lidhur me një temë shumë të rëndësishme, sepse të dy protagonistët e kësaj historie nuk janë njerëz ordinerë që u konfliktuan tek lagjia apo sepse dikush parkoi gabimisht përpara lokalit të tjetrit, janë persona që posedojnë dhjetëra miliona euro e që paguajnë gjithashtu miliona euro taksa e kanë punësuar njerëz. Pikërisht për këtë arsye ia vlen të shohim më tej se çfarë nuk shkon në mjedisin e biznesit shqiptar, për të parë marrëdhëniet midis kompanive e qeverisë si arbitër dhe në fund të fundit për të hedhur një vëzhgim nëse shteti ka luajtur rolin e arbitrit që sipërmarrësit të konkurrojnë me çmimet apo cilësinë e shërbimeve apo qeveria ka heshtur duke lënë biznesmenët që të merren vesh me ligjin e xhunglës apo akoma më keq, vetë shteti është bërë pjesë e xhunglës duke sponsorizuar politikisht me mbështetje njërën palë që ka ndikuar të falimentojnë apo vihen në vështirësi palët e tjera”, deklaroi Kikia.

Si një specialiste e fushës, zonja lati parashtroi një historik të zhvillimit të tregut të gazit në vendin tonë. “Tregu i gazit në Shqipëri, duke nisur nga 2009-ta ka pësuar një ndryshim strukturor pasi ishte moment i parë që qeveria imponoi mosrealizimin e ngarkimit dhe shkarkimit menjëherë në port, e kërkoi që të vendoseshin depozitat dhe u përcaktuan edhe dy portet, në Vlorë dhe Porto-Romano. Dy modelet e biznesit në këto dy porte janë të ndryshme, në Vlorë kemi dy kontrata koncesionare, ndërsa në Porto-Romano skema ishte e ndryshme, pasi kishim firma të gazit që kishin ndërtuar depozitat dhe ky ishte një fakt, e shteti mori përsipër të ndërtonte montimin e ngarkim-shkarkimit. Ky ishte moment kur firmat e gazit dhe disa prej tyre që kishin histori e eksperiencë bënë investimet e tyre në depozita dhe kërkonin shërbimin e ngarkim-shkarkimit, duke përdorur shërbimin e koncesionarit, njëkohëisht aksioneri kryesor i 50% të depozitave dhe i 100% të një prej firmave kryesore të importit të gazit”, shpjegoi zonja Lati.

“Në vitin 2011 patëm një ankesë nga disa kompani dhe Komisioni i Konkurrencës. Me mbledhjen e informacionit , në mënyrë të menjërshme, komisioni, duke ditur edhe vështirësitë pasi sapo kishim mbyllur një hetim në Vlora 1 tek Petrolifera, dhamë masa të përkohshme, duke i kërkuar Porto Romanos të lejonte shkarkimin e anijes. Pretendimi i koncesionarit ishte se kompania e importit nuk kishte leje shfrytëzimi të çisternave individuale, e në këtë vëzhgim të parë, Autoriteti nuk gjeti arsye për të penguar dhe nisi një hetim e kemi dy vendime, e në fund nxorrëm fajtor pronarët e koncesionarit, pasi pamë që masat e marra prej tyre kishin qartësisht si qëllim rritjen e përqindjes së zotërimit nga tregu nga kompania me pozitë tashmë dominuese”, shtoi Lati.

Zoti Brokaj, shpjegoi edhe më në thellësi, me termat teknikë, praktikat aktuale në tregun e gazit në Shqipëri. “Importuesit e gazit, në vitet 1999-2009 përdorin në portin e Vlorës. Problemet nisën në vitin 2009, kur firmat nuk kishin ku të shkarkonin. Në kontratat që u krijuan atëherë shteti duhet të kishte parë më me kujdes se si i jepet një terminal me koncension, dikujt që mban edhe depon. Megjithatë, rasti i Vlorës është edhe më i rëndë, edhe pse larg vëmendjes së medias”.

Ilir Karçini tashmë është i arrestuar nën akuzën e financimit dhe sigurimit të materialeve për vrasje. Pirro Bare i ka shpëtuar një atentati dhe kjo është hera e parë që zbulohet deri diku se si funksionon skema e vrasjes në Shqipëri. Kërcënimet e biznesmenëve në Shqipëri duket se kanë qenë praktikë pune vitet e fundit, të paktën në sektorin e gazit.

Ilirjan Brokaj, Kryetari i Shoqatës së Import-Eksportit të Gazit thotë: Në 2011-2012 kur Zotit Bare i vunë tritolin e parë, flitej për gjithcka, por për gazin nuk flitej. Mua më kanë kërcënuar në janar të 2012 personalisht dhe familjarisht. Kam qenë në Tiranë dhe më kërcënuan 4 veta duke më thënë që duhej të lija gazin. Në shkurt prap më kërcënuan prap dhe më thanë që duhet të lësh gazin. Herën e dytë e mora seriozisht dhe kisha bërë një denoncim në 2011 dhe prokuroria nuk u mor fare, as më thërriti më që të pyetesha se kush ishin këta njerëz”.

Por c’masa merrte Autoriteti i Konkurencës mbi këto mosmarrëveshje? Lindita Lati, Kryetare e Autoritetit të Konkurencës thotë: “Masat janë penalizimi i firmës me gjobë. Autoriteti i konkurencës vendosi që palët të dëmshpërblehen. Vendimi i parë i komisionit të konkurencës është marrë në kushtet e votimit në shumicë, kemi patur edhe një votë pakice. Edhe gjoba ka qenë në të njëjtat kushte, ndërsa në 2013, kur bëhet fjalë e radhës situata ishte ndryshe sepse operatori kishte sjellë anijen, shkarkoi pjesërisht anijen cisternë dhe e kalon sërish në radhë dhe kur u rikthyer sërish, probelmi ka qenë mosmarrëveshje mes dy palëve për një pagesë. Pamë sjellja e koncesionarit në kushte të ngjashme, rregullorja, kemi të bëjmë me një riciklim e anijes”.

Kryeredaktori i Top Channel, Mentor Kikia bëri një rezyme të ngritjes së aktivitetit të Ilir Karçinit: “Karçini e ka ngritur kompaninë e tij me grabitje aksionesh ndaj biznesmenit grek dhe në atë kohë, kryeministri Berisha e shfrytëzonte duke akuzuar ish-prokurorin e përgjithshëm për lidhje me biznesmenë të innkriminuar.  Pra na rezulton se ish-kryeminsitri Berisha e përdor historinë e Karçinit për të shkarkuar Sollakun dhe asgjë tjetër”.

Analisti Lutfi Dervishi tha se “gjithmonë kur kemi një situatë monopol, gjithmonë duhet të presim probleme pas”. Problemi më i madh, vijoi ai, është që e vuan konsumatori.  Shkaku i kësaj gjendjeje është se kemi institucione të dobta, drejtësi të korruptuar, klientelizëm dhe favorizime që në vendimmarrje. Nëse këto gjëra do të diskutoheshin në Kuvend në kohë, do të sqaroheshin edhe biznesmenët që nuk do caktonin dot cmimin kur janë në treg”, tha Dervishi.

Zoti Brojka shtoi se monopoli i tregut nga ana e Pirro Bares ka nisur që në 2011, kur Drejtori i Tatimeve në atë kohë dha urdhër për vendosjen e kasave dhe bllokimin e porteve. Qeveria vendosi një ligj që as na pyeti fare. Në Durrës, Pirro Bare, në kundërshtim me ligjin ka koncesionin e Petroliferës dhe akses në treg nëpërmjet një kompania të drejtuar prej tij. Me aksione 100 përqind”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA