Mesazhe ngushëllimi për Vaçe Zelën

06/02/2014 00:00

Ndarja nga jeta e Vaçe Zelës ka prekur shqiptarët, të cilët kanë shprehur respektin dhe mirënjohjen për këtë personazh të dashur. Shihet në rrjetin social Facebook në mënyrë të vecantë kjo, ku mijëra postime videosh me këngët e saj dhe mesazhe dominojnë mbi gjithcka tjetër në profilet e shqiptarëve. Në fillimin e seancës parlamentare të ditës së sotme u mbajt një minutë heshtje në nderim për Artisten e Popullit.

Bujar Nishani, President i Republikës

“Në këto çaste dhimbjeje, kur mbarë kombi ynë po përjeton me hidhërim të thellë humbjen e këngëtares së papërsëritshme Vaçe Zela, dëshiroj të shpreh, edhe në emër të shtetit shqiptar, ngushëllimet më të ndiera e të sinqerta.Vaçe Zela ishte magjia e madhe që e bëri kombin shqiptar të gëzojë dhe të jetë optimist për jetën, edhe kur jeta premtonte shumë pak mirësi.Artistja e madhe po ikën si rrallëkush: ajo ka fatin të ndahet nga jeta duke merituar respektin, vlerësimin dhe përjetësinë, sepse kënga dhe arti i saj, vetë emri i ‘Artistes’ është shënuar në historinë e artit dhe të muzikës shqiptare.Vaçen tonë do ta mbajmë mend përjetë me admirim dhe mirënjohje për kontributin e saj të paarritshëm artistik, që e kurorëzoi me plot të drejtë si ‘Mbretëreshën e këngës shqiptare’.

Kryeministri Edi Rama:

Ne nje kohe e vend tjeter Vaçja do ishte yll i ndezur ne qiellin e botes, iku duke lene perjete ndezur yllin e vet ne qiellin e Shqiperise.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro:

Valsi i lumturisë kthehet sot në requiem të pazevendësueshëm për thesarin e kombit që quhet thjesht Vaçe!

Ambasada Amerikane në Tiranë:

Sot, Shqipëria humbi një nga këngëtaret e saj më të mëdha. Vaçe Zela ishte një artiste e madhe dhe kushdo që e ka dëgjuar atë të këndojë, mund të dëshmojë për bukurinë e zërit dhe talentin e saj të pafund. Me këngët që interpretoi, ajo u kthye në një legjendë të muzikës shqiptare – jo vetëm për brezin e saj, po për të gjithë shqiptarët e çdo moshe. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për familjen dhe të dashurit e saj. U prehte në paqe!

Sali Berisha, ish-kryeminister:

Dhimbje dhe zi per per boten tone kulturore dhe mbare kombin tone! Sot u nda nga jeta, kengetarja e madhe, zeri i shekullit te kenges sone, Vaçe Zela. Me zerin melodioz e te paperseritshem, me kenget dhe interpretimet e saj, Vaçe Zela dhuroi gezim, kenaqesi dhe krenari ne zemrat dhe votrat tona. Vaçe Zela jeton e do jetoje ne gjuhen me te bukur, me magjepse, ne kengen e saj, kengen e kombit tone! Ngushellimet me te sinqerta bashkeshortit, vajzes dhe te gjithe familjes. Mirenjohjen e pakufishme kengetares sone te pavdekshme Vaçe Zela!

Lulzim Basha, Kryetar i Partise Demokratike

Mësova me hidhërim të thellë për ndarjen nga jeta të artistes së shquar “Nderit te Kombit”, Vaçe Zelës. Për të gjithë ne që u rritëm me zërin e saj unik, sa më shume që koha kalon aq më e dashur dhe e veçantë është figura e saj. Vaçe Zela do te mbetet përjetë mes nesh. Ngushëllimet e mia për familjen, të afërmit dhe miqtë e kësaj ikone te muzikës shqiptare. U prehtë ne paqe.

Jozefina Topalli, deputete demokrate:

E dashura e shqiptarëve! Iku Vaçe Zela, mbeti zeri i Saj! I kendoi me dashuri pa kufi vendit te saj si askush tjeter! I gezoi jetet e shqiptareve me magjine e zerit te saj, kur nuk kishte asnje gezim per to! Ajo ishte e dashura e shqiptareve!

Erjon Braçe, deputet socialist:

Eshte e madhe, e jashtezakonshme, e paperseritsheme, e perjetshme!Quhet Vaçe Zela dhe eshte kengetarja me e madhe e ketij vendi!’Nderi i Kombit’ eshte titulli zyrtar, ‘Mbretereshe e Popullit’, eshte titulli qe do i mbetet.Por, dua ta vecoj keshtu; Eshte lushnjare! Mos heshtni! Mos e qani!Duatrokiteni! Per gjithe kenaqesine qe ju fali per vite, per zerin e paperseritshem qe la per secilin, kulturen tone; nderojeni, duatrokiteni!

Eduard Halimi, deputet demokrat:

Do te jetojë gjithmone zeri me i bukur i shqiptareve.

Sidrit Bejleri, këngëtar:

Nderroi jete nje nder figurat me te medha te artit skenik shqiptar…Iku pertej artistja e madhe, ajo te ciles te gjithe i referohen kur flitet per majat e vokalit shqiptar…Iku Vaçja…Paqja e Zotit qofte me te!

Aurela Gace, këngëtare:

Sapo u zgjova dhe hap televizorin si rutine e mengjesit. Degjoj lajmin e hidhur te shuarjes nga jeta te artsites se Kombit Vaçe Zela….menjehere me erdhi ne mend ate cfare kam perjetuar kur e kam takuar per here te pare…ne shtepine e saj ne Basel te Zvicres shkova ta takoj shume vite me pare…e shoh te buzeqeshur, me zerin e embel qe me ftoi te ulesha dhe u bukosa fare, nuk flisja dot,nuk i thosha dot sa shume e doja zerin e saj,sa shume kisha degjuar…me ofroi kek te cilin e kishin gatuar ne shtepi….mezi e hengra nga emocioni i madh qe kisha duke qendruar afer saj. E pyes xhaxhi Pjetrin,bashkeshortin e saj, ” si eshte te jetosh prane kesaj artisteje kaq te madhe”? Ai m’u pergjigj i qete: “Per mua ka qene dhe eshte njeriu i jetes time”.

Të dua shumë teta Vaçe dhe emri yt e zëri yt do të jetojë në memorjen e të gjithëve ne, vajzës sime do t’ia mësoj emrin dhe këngët e tua, që edhe ajo e brezat e tjerë ta dinë se çfarë thesari ka pasur Shqipëria. Shpirti yt u prehtë në paqe!

Virgjil Kule, gazetar:

“Ah, Vaçja, u shua! Ja, para syve tanë u shua…por nuk do shuhet kurrë ne kujtesën e kombit”.

Fatmir Toçi: “Për 60 vjet pushtoi skenen muzikore shqiptare duke mbetur edhe sot këngëtarja më e dashur dhe më e vlerësuar. Veshtire do te jete per nje kohe te gjate qe te ngjitet ne skene nje dive e muzikes me dimensionet e Vaçe Zelës”.

Dritëro Agolli, shkrimtar:

“Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë”.

Zhani Ciko, artist:

Në këtë ditë të trishtë ku duket sikur dhe natyra ka marrë pjesë në të. Vacja, artiste shumëdimensionale. Figura e Vaces do të mbetet e paharruar dhe do të vlerësohet nga populli

Irma Libohova, kengetare:

Jam tepër e hidhëruar. Jam këngëtare e brezit të saj dhe për mua ka qenë shkollë. Ajo ka qenë autoritare, e vendosur, në biseda që kemi pasur bashkë më tregonte shumë mbi muzikën. Për mua ka qenë mike, shoqe, dhe ngushëlloj familjen. Nuk e di, por kjo ditë e trishto. Vacja nuk ka vdekur. Për mua ka qenë krenari që krahasonin zërin tim me të sajin

Manjola Nallbani, kengetare

Këngë, interpretime, emocione që shqiptarëve ju kanë shërbyer në momente të ndryshme u kanë ngritur moralin lart, dhe kjo është arritja më e madhe e një artisti që me zërin tënd tu japësh emocion, që të të këndojnë. Vacja këtë e bëri dhe gjithkush nga ne është mirënjohës për atë që dha me zërin dhe shpirtin e saj.

Qemal Kërtusha, kengetar:

Ajo është një medalje e madhe e muzikës, një trashëgimi e madhe, një meteor, që zbret 1 herë në 100 vjet në tokë, ashtu ishte zëri i Vace Zelës. Kur është kënduar, fëmija i parë, duke shëtitur, njerëzit na habiteshin me fjalët më të mira, duke thënë cfarë kange të bukur keni kënduar.Para se të dilte në skenë, ajo më thoshte Qemal, kam emocion, ma ver dorën tek gjoksi. Asaj sikur do i delte zemra nga vendi, por kur shkonte tek mikrofoni, e ngrinte sallën peshë. Të jepte emocion të jashtëzakonshëm.

Myfarete Laze, kengetare:

Këngëtare komplekse për të gjitha zhanret. Kam pasur fatin që të këndoj këngë në festival, kompozime me të. Vaçja një talent i rrallë…

Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës

“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të këngëtares dhe artistes së shquar Vaçe Zela. Vaçe Zela ka qenë dhe mbete ikonë e muzikës së lehtë dhe asaj popullore, një zë origjinal, i papërsëritshëm dhe unikal në muzikën shqiptare.

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së

“Vepra dhe kontributi i zonjës Zela është një prej kapitujve më të vlefshëm në opusin nacional të këngës shqipe, dhe si tillë do të mbetet përherë pjesë e thesarit tonë të gjithëmbarshëm kulturor. Përjetësisht do ta kujtojmë dhe do të ndihemi krenarë me këngëtaren e madhe shqiptare, zërin dhe repertorin që ajo i dha e i la në trashëgim muzikës dhe kulturës sonë në përgjithësi

Një minutë heshtje në Kuvend

Kuvendi i Shqipërisë mbajti një minutë heshtje në nderim të artistes
Vaçe Zela, ndërsa kryetari Ilir Meta me anë të një fjalimi nderoi dhe
lartësoi figurën e saj.

“Vaçe Zela ishte një zë i mrekullueshëm
që ka zbukuruar dhe lumturuar jetën e gjeneratave të tëra në kohë më të
vështira. Mbas pothuajse 20 vjetësh mungese në skenë por gjithmonë e
pranishme në kujtesën tonë Vaçja e madhe, “Nderi i Kombit”  është ende
kulmi i papërsëritshëm i këngës shqiptare. Ajo është shkëlqimi i zërit
të shpirtit dhe padyshim mbretëresha e kurorëzuar e muzikës së lehtë dhe
popullore shqiptare. Ajo ishte njeriu që i dha emrin një epoke, ishte
fëmija e shkëlqyer dhe i papërsëritshëm i këngës dhe i muzikës
shqiptare”, u shpreh Meta.

Top Channel