ALEKSANDËR ÇIPA – Turqia është kohët e fundit kryefjalë në lajmet që
përcillen prej medias ndërkombëtare. Është një situatë që lidhet me një
kapitull të ri, i cili nuk dihet ende se si do të vijojë në raportet e
brendshme politike të partisë së Kryeministrit Erdogan.
Përballja është mes dy protagonistëve dhe kryesuesve zyrtarë të politikës aktuale në Ankara. Presidenti Fethullah Gulen po kryeson jo organizativisht, por thjesht përmes mendimit dhe frymës, lëvizjen e re në shërbim të ruajtjes dhe frymëzimit të demokracisë islame. Kjo ngjet në këtë vend, në periudhën e përjetimit dhe arritjes së begatisë më të madhe të shekullit. Tensionet e nisura muajin e kaluar po e shtojnë temperaturën. Në këto zhvillime dhe përjetime nuk janë vetëm disa shtresa, disa grupime, subjekte apo bërthama parapolitike e politike, por krejt opinioni publik turk. Marrëdhëniet komplekse dhe me zhvillime brenda politikës turke, tashmë janë shndërruar në një proces intensiv ndodhish dhe qasjesh mes qeverisë-parlamentit dhe institucionalizmit. Si të tilla ato janë vënë në fokus të shqyrtimit dhe shoshitjes prej gjithë inteligjencies së angazhuar dhe të paangazhuar të vendit. Një frymë reagimi si kumt për nevojën e mbrojtjes së demokracisë dhe laicizmit është shfaqur në gjithë mjediset metropolitane të Turqisë. Elita aktuale e vendit është angazhuar për një interpretim dhe mbrojtje të demokracisë institucionale dhe asaj funksionale në vend. Po rikonfirmohet se valenca e këtij mendimi “vlen për të avokatuar jo vetëm të sotmen, por më së shumti të ardhmen e duhur të vendit, sistemin dhe vlerat e pluralizmit institucional”. Kjo është shprehja e njërit prej të përfshirëve në këtë lëvizje, i cili njihet si një ndër investitorët dhe kryesuesit e bordeve të një konsorciumi universitar të ngritur në shumë vende të Ballkanit, përfshi edhe Shqipërinë, si dhe në Lindjen e Mesme e të Afërt. Është forca reaguese dhe iniciativa e bashkëpërfshirjes së inteligjencies, e elitave të vendit në mendimtarinë se si dhe se ku, duhet të shkelet rruga për demokracinë dhe drejtësinë e një vendi në zhvillim befasues. Ajo që po ngjet aktualisht në Turqi është e një dimensioni të fuqishëm, por është e lidhur fuqimisht dhe e frymëzuar prej një force mendimi të inteligjencies së vendit.
Në një shkrim të posaçëm së afërmi, do të flasim më gjerësisht për atë që po ngjet në Turqi, por kjo situatë ka disa përngjasime dhe kontraste me realitetin aktual në Shqipëri.
Një realitet që edhe pse përkon me jetëgjatësinë pesëmujore të një qeverie të majtë në vend, po mbarset me konflikt politik dhe me situatë intensive kriminale, për të cilën ka shumë dyshime, shumë hamendësime dhe natyrisht edhe shumë fakte që kapërcejnë autorësinë dhe zbulojnë nëntekste politiko-kriminale.
Për këtë situatë, vetëm një kategori individësh po përfshihen në debat dhe diskutime publike. Shumica e opinionistëve të ndarë në komentet e tyre në pro dhe kundër, ndërsa oratorët dhe protagonistët politikë gjithashtu në akuzues dhe akuzues. Një komunikim politik që evokon periudhat më të agravuara të tranzicionit postkomunist. Një sjellje barbare e fjalorit politik ndaj Policisë së Shtetit dhe sidomos ndaj institucioneve. Opozita politike ka aktivizuar apelet për revolta, shkatërrim, rebelim, për zhbërje të parlamentit etj., etj., duke humbur plotësisht sensin e përshkallëzimit dhe të maturisë së vet në një mision rishtar opozitarizmi. Një proces opozitar, i cili po banalizon besueshmërinë për procesin e brendshëm reformues, posthumbjes së pushtetit tetëvjeçar, si dhe që po eklipson gati plotësisht, procesin tjetër, atë të rikompozimit të strukturës drejtuese në nivelet e gjithë piramidës së vet partiake.
Matanë këtij qëllimi eklipsues, kultura e politizimit dhe egërsisë akuzuese po rikthehet, duke dashur pastërtisht të investojë fuqishëm perceptimin se Shqipëria ka të njëjtat probleme si Ukraina apo si vende të tjera autoritare. Për këtë qëllim, keqinterpretohen edhe deklarimet e zyrtarëve të lartë të Uashingtonit, duke iu servirur mediave ato pasazhe që krijojnë thjesht një kontekst të interesit të pjesshëm dhe jo një kuptim të parë e të plotartikuluar.
Kjo situatë duket se do të vijojë kështu, duke e tërhequr shumicën aktuale në nervozizëm dhe pse jo, për t’i imponuar asaj përdorimin e mundësisë së provës së forcës së kartonëve në Parlament. Gjë që duket se opozita e kryesuar nga i tërhequri Basha, por e frymëzuar nga i pandryshueshmi dhe urdhërdhënësi Berisha, mezi po e pret dhe po aktivizohet për ta rinisur shpejt.
Pista e tensionit ka nisur të shfaqet. Kësaj piste duhet t’i shmanget pashmangshmërisht kjo shumicë. Por thënë planin politik, ky është një detyrim i kësaj shumice. Ndërsa në planin e interesit publik, këtë nevojë duhet ta interpretojë elita e vetëmunguar e vendit.
Një ndër shkrimtarët më të shquar të këtij shekulli në arenën letrare kombëtare dhe ndërkombëtare, në një bisedë informale para disa kohësh, pyetjes se pse nuk shprehen intelektualët, shkrimtarët, profesorët etj?, – iu vetëgjegj: Sepse janë të varfër.
Kjo varfëri pushtuese është pranuar gati si dikur Perandoria Otomane. Një nënshtrim i turpshëm dhe vetëflijues. Po. Një vetëflijim që shfaqet në shumë forma.
Para gati një viti, lidershipi qeverisës në vend nismoi nënshkrimin e peticioneve për tri ligjet që i kërkonte BE-ja. Një truk politiko-partiak, i cili la shijen më të keqe të përdorimit të pavarësisë universitare dhe akademike në vend, e ngjashme me atë të periudhës së fundit të regjimit komunist. Po sot, pse nuk shprehet kjo kategori për nevojën e qetimit dhe të mbajtjes së luftës politike në shinat e konstruktivizmit dhe të ballafaqimit analitik mes qeverisë dhe opozitës politike? Pse nuk mbrohet nevoja e mbajtjes apo forcimit të institucioneve të pavarura kushtetuese? Pse nuk iniciohen nisma për vokacionin e munguar të shoqërisë së papërdorshme civile në vend? Pse e ashtuquajtura elitë e vendit, nuk po hap një fokus të ri temash sipas rëndësisë dhe nuk po e zgjeron perimetrin e debatit dhe diskutimit publik, për të sjellë në vëmendje dhe në rend të ditës, axhendën me problemet dhe çështjet më imediate?! Pse nuk po shfaqen lëvizje dhe nisma që kryerendisin nevojën për rikthimin dhe potencimin e vlerave të një vrulli dhe përmbajtjeje të re të demokracisë, standardeve, shtetit ligjor dhe shërbimit qeverisës në interes të publikut? Mos vallë për këtë duhen sërish listat me matrikullin e paracaktuar partiak?
Është momenti që faktorë dhe elementë të shoqërisë postmoderne shqiptare të imponojnë kastën politike të mos guxojë të riciklojë axhendën e konfliktit dhe të sherrit politik e institucional. Në këtë rol kanë detyrimin të përfshihen në kohë edhe ambasadorët që përfaqësojnë interesin e demokracisë dhe të stabilitetit europian në Shqipëri. Vonesa e tyre në kësi rrethanash komprometon jo heshtjen që mbajnë, por në mënyrë flagrante, misionin dhe qëllimin funksional që mbart përfaqësimi diplomatik.
Gazeta “Shqip”
Top Channel