Fqinjët tregojnë jetën prej varfanjaku të Sinanajt

05/02/2014 00:00

Julian Sinanaj prej tre muajsh kishte marrë me qira një apartament në
rrugën “Him Kolli”, segmenti që lidh Rrugën e Kavajës me atë “Myslym
Shyri” në Tiranë.

Ai i ndryshonte shpesh banesat, për të mos u identifikuar nga fqinjët dhe për të humbur gjurmët. Nuk krijonte marrëdhënie me njerëzit, por sa herë që lindte nevoja për të komunikuar, tregohej i qetë dhe nuk ushqente biseda, prej të cilave mund të lindnin miqësi. Të gjithë e kishin parë vrasësin me pagesë, teksa hynte dhe dilte në pallat, së bashku me vajzën nga Vlora, Denada Ç., por janë shumë të frikësuar që të flasin për të.

31-vjeçari banonte në katin e shtatë të një pallati. Aty gjej një zonjë që pastronte derën e jashtme. E pyes me mirësjellje se cili ishte apartamenti i Julianit dhe ajo me një zë mjaft të ulët më thotë se është ai që ndodhet përballë shkallëve. “Ja tek është. Bjeri derës. Nuk e di nëse ka njeri aty. Unë nuk e njoh se nuk jetoj këtu. Jam pastruesja e kësaj shtëpie”, më thotë gruaja, e cila me nxitim mbyll derën. Ajo është e terrorizuar. I duket sikur Juliani do të rikthehet sërish për t’u hakmarrë për fjalët që ka thënë. Përpiqem që të flas me një tjetër fqinj për të kuptuar pak rreth jetës së vrasësit serial. Gjej një derë të hapur dhe dy fëmijë që ishin duke u bërë gati për në shkollë. I pyes se me kë ishin në shtëpi dhe ata më përgjigjen se aty ndodhej babai. Me një zë përkëdhelës, thërrasin të atin. Zotëria del dhe më hedh një shikim habie. I prezantohem dhe i them se kam ardhur të pyes për fqinjin e tij, Julianin. Ai thotë se nuk ka shumë informacione rreth tij. “Ai ka pak muaj që jeton me qira këtu. Nuk kishim krijuar marrëdhënie fqinjësie. E kisha ndeshur nja 2-3 herë në ashensor, por nuk është se kishim shkëmbyer ndonjë bisedë mes nesh. Me aq sa kisha parë, më dukej djalë i qetë dhe i mirë”, shprehet fqinji. Duke e pyetur nëse kishte parë ndonjë gjë të dyshimtë tek 31-vjeçari, fqinji e mohon një gjë të tillë. “Nuk kisha vënë re asgjë të dyshimtë. Unë e mora vesh aktivitetin e tij kriminal vetën nëpërmjet medias. Paskemi pasur pranë një person kaq të rrezikshëm. Jemi tmerruar kur e morëm vesh. Ai paska pasur në banesë një arsenal armësh dhe një gabim mjaft i vogël, do të shkaktonte tragjedi jo në pallat, por në të gjithë lagjen. Mjerë ne që nuk e dimë se çfarë personash kemi pranë!”, e përfundon bisedën fqinji i katit të shtatë.

Besoja se administratori i pallatit do të kishte më shumë të dhëna për vrasësin me pagesë. E thërras nëpërmjet telefonit që të më takojë, por nuk ka dëshirë. Thotë që mund të flasim edhe në distancë. I flas për çështjen për të cilën kisha shkuar dhe më thotë që Sinanaj ishte i rregullt në gjithçka. “Ai djali për të cilën po më flet, ka qenë shumë i rregullt me pagesat mujore. Më dukej njeri shumë i qetë dhe nuk më linte asgjë për të dyshuar. Nuk kishim bërë biseda të gjata mes nesh. Për mua mjaftonte se ai paguante faturat mujore dhe kaq. Nuk kam parë persona që hynin apo dilnin nga apartamenti i tij”, thotë administratori.

Sinanaj ka bërë një bisedë të shkurtër vetëm me shitësin e lagjes.Ky i fundit thotë se i vinte keq për 31-vjeçarin, pasi i dukej njeri i vuajtur dhe i vobektë. Madje ai blinte gjëra të lira në dyqan, duke lënë përshtypjen e një varfanjaku. “Ai vinte shpesh për të blerë këtu te ne. Gjithmonë ishte me një vajzë. Nuk i shihja kurrë të ndarë nga njëri-tjetri. Nuk është se bënte ndonjë jetë luksi. Blinte gjëra të lira, si një gjysmë buke, ndonjë kos e gjëra të tilla. Nuk e pata parë kurrë që të blinte mish dhe ushqime të shëndetshme. Kur paguante, mezi i nxirrte lekët. Të dukej sikur kishim të bënim me një varfanjak. Ku e dija unë që ai merrej me punë kaq të pista dhe që qarkullonte miliona lekë nëpër duar. Nuk kishte makinë, gjithmonë lëvizte në këmbë. Nuk është se kam biseduar ndonjëherë me atë person. Vetëm një ditë më kujtohet se bëmë një bisedë shumë të shkurtër. Nuk e di se si erdhi muhabeti dhe ai më tha se kishte shkuar në Greqi në moshë shumë të vogël dhe se kishte punuar atje për 20 vjet. Gjithashtu më tha se ishte person i vuajtur dhe se kishte punuar si qeni atje. Mua më erdhi keq kur e dëgjova teksa fliste ashtu dhe në të vërtetë më dukej si një njeri shumë i vuajtur. Më dukej i vobektë”, thotë shitësi. Ndërkaq, ai thotë se kurrë nuk ishte vënë re ndonjë gjë e dyshimtë. Ai nuk e ka parë atë që të shoqërohej me persona të tjerë. “Në shtëpinë e tij, nuk është se hynin dhe dilnin persona të dyshimtë. Prej atij apartamenti hynin dhe dilnin vetëm ai dhe vajza me të cilën shoqërohej. Kjo e fundit ishte shumë e trembur prej atij. Si duket ai e dhunonte. Një ditë kishin ardhur të dy në dyqan dhe ai i kishte bërtitur në sy të gruas sime. Gruaja ime më tha se ai i kishte folur shumë ashpër asaj vajzës dhe ajo nuk e kishte nxjerrë zërin që t’i kundërvihej. E kishte shumë frikë. Pavarësisht kësaj, mua nuk është se më lindi ndonjë dyshim. Mendova se ata ashtu i kishin ndërtuar marrëdhëniet”, tregon fqinji. Shitësi flet edhe për aksionin e policisë, duke thënë se arrestimi i Julian Sinanajt është bërë i ditur nga policia vetëm pas dy ditësh. “Policia ka ardhur që në orën 04:00 të mëngjesit, dy ditë përpara se lajmi të dilte në media. Kur u ngrita në mëngjes, pashë disa makina policie që po patrullonin. Ishte një djalë i ri që i bënte foto pallatit dhe me shaka i thashë që të më bënte edhe mua një foto. Nuk e dija që ai ishte oficeri i policisë. Pastaj pashë që këtë djalin e kishin arrestuar së bashku me vajzën. I hipën në furgon dhe u larguan. Për dy ditë me radhë, nuk e mora vesh se çfarë bëhej fjalë dhe pastaj e pashë në televizor se Julian Sinanaj akuzohej për ato krime të tmerrshme”, e përfundon bisedën shitësi i ushqimores.

Top Channel