Tumori i qafës së mitrës,te mjeku në gradë të fundit

03/02/2014 00:00

Tumoret e sferës femërore përbëjnë një numër të lartë dhe të
konsiderueshëm të problemeve shëndetësore me rëndësi në vendin tonë.

Studimet dhe hulumtimet e Institutit të Shëndetit Publik evidentojnë se në Shqipëri, kanceri i qafës së mitrës përbën gati gjysmën e rasteve me tumore malinje që prekin aparatin gjenital femëror. Por, në pjesën më të madhe të rasteve, ky lloj kanceri kapet në faza mjaft të avancuara.

Gratë në vendin tonë në shumicën e rasteve neglizhojnë ekzaminimet që duhet të kryejnë periodikisht dhe nuk u kushtojnë rëndësi problemeve të vogla dhe ndryshimeve për sa i takon shëndetit.

Edhe në vendin tonë, ky lloj kanceri është relativisht i shpeshtë dhe përbën më shumë se 6% të të gjitha rasteve të kancerit te gratë, duke u renditur në vendin e dytë, pas kancerit të gjirit. Janë këto të dhëna kryesisht të dala nga shërbimi i onkologjikut, në spitalin “Nënë Tereza”.

“Nëse një femër kontrollohet rregullisht, pra bën pap teste të rregullta, mund ta kapë në kohë kancerin e qafës së mitrës.

Nëse kanceri i qafës së mitrës kapet herët, është më i lehtë për t’u trajtuar, mbijetesa rritet dhe kualiteti i jetës është më i mirë”, sqaron Lumturi Mërkuri, specialiste e shëndetit riprodhues pranë Institutit të Shëndetit Publik.

Sipas saj, shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës është një lloj virusi i quajtur Human Papiloma Virus ose HPV.

Shifrat e rendisin Shqipërinë si vendi me vdekshmërinë më të lartë nga kjo sëmundje, pasi çdo vit vdesin 140 gra nga ky kancer. Numri më i madh i grave të prekura regjistrohet në Tropojë, Lezhë, Shkodër dhe në fshatra, ku ka mungesë të theksuar informacioni mbi këtë sëmundje dhe mënyrat e parandalimit.

tumori-1Ka më tepër se 100 tipa të virusit HPV, por vetëm një pjesë e vogël e tyre janë viruse me rrezik të lartë dhe shkaktarë të kancerit të qafës së mitrës. HPV përhapet nëpërmjet kontakteve seksuale dhe rreziku i infektimit rritet me shtimin e numrit të partnerëve seksualë. HPV është një virus që pasi hyn në organizëm mund të mbetet aty i fshehur me vite pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje, por personat që e mbartin mbeten infektues për partnerët e tyre seksualë.

Pap testi është një test që përdoret për të gjetur qelizat jo normale në qafën e mitrës qysh në fazën e hershme parakanceroze, gjatë së cilës ato mund të hiqen lehtësisht dhe kështu nuk zhvillohet kanceri.

Pap testi është një test i shpejtë, i thjeshtë, i padhembshëm, që zgjat vetëm pak minuta, por që mund të shpëtojë jetën e një femre. Ekzaminimi bëhet për të treguar nëse një femër ka apo jo kancer të qafës së mitrës. Nga momenti i shfaqjes së qelizave jo normale në qafën e mitrës deri në shfaqjen e plotë të kancerit të qafës së mitrës duhen shumë vjet. Fatmirësisht kjo kohë e gjatë e zhvillimit të këtij lloj kanceri i jep mundësinë një femre ta kapë në kohë atë, nëse kontrollohet rregullisht.

tumori-2Është e rëndësishme që të gjitha gratë ta bëjnë rregullisht pap testin, si pjesë e kujdesit të zakonshëm për shëndetin e tyre. Rekomandimet për kryerjen e pap testit janë të ndryshme. Disa rekomandojnë kryerjen e pap testit çdo 1-3 vjet.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë rekomandohet: Të gjitha femrat e moshave nga 21 deri në 65 vjeç duhet të kryejnë pap testin rregullisht. Kjo përfshin edhe gratë që kanë kaluar menopauzën, ato të cilat kanë lidhur tubat, si dhe ato të cilat nuk kanë qenë për një kohë të gjatë seksualisht aktive

Top Channel