ALEKSANDËR ÇIPA – E përditshmja në Shqipëri po dominohet nga nxirrja dhe
nga grija. Një periudhë vërtet trishtuese, në thelb të së cilës shquhet
negativiteti i politikëbërësve dhe në mënyrë të veçantë i
protagonistëve të politikës.
Polemika dhe marrëdhënia antagoniste, që një pjesë e opozitës dhe drejtuesit politikë të policisë mbajnë në fuqi kaq ditë, e bën kontributin zezues të atmosferës edhe më të shqueshëm. Kjo është një marrëdhënie e shumënjohur në këtë kohë të tranzicionit që zgjatet artificialisht. Kjo tejzgjatje ngjet falë protagonistëve të vjetër, mes të cilëve kryeshquhet ish-kryeministri Berisha. Ky politikan i vjetër që edhe në mos qoftë pjesa më e madhe e problemit, gjithsesi gjysma është, ndonëse i zhveshur nga mandatet dhe tagri drejtues, vijon të mbetet zë dhe fytyrë aktive në aktualitetin konfliktual politik brenda dhe jashtë Parlamentit.
Ky përdorim i konfliktit politik, po e shndërron skenën politike në një mjedis të ndarë mes dypalësh që udhëtojnë drejt një destinacioni me të papritura konfliktualiteti. Njëra palë këmbëngul në këtë korsi, duke e ditur se vetëm përmes këtij mjeti ia del të arrijë sukses dhe rifaktorizim në politikë, ndërsa pala tjetër gjendet në rrethimin e imponimit politik.
Sidoqoftë, pavarësisht nga fajësitë dhe pafajësitë e këtij protagonizmi apo loje të detyruar, situata në vend po e shton perceptimin e përkeqësimit. Për arsye të një krize ekonomike të pranuar nga të gjitha palët, zymtësia sociale e shtuar falë gjendjes politike dhe ekonomike, po merr dimensione të reja. Është një zymtësi, e cila duket se “karbonizon” atmosferën dhe krejt opinionin publik. Si e tillë ajo më së shumti vjen prej politikës. Në këtë shërbesë me kontekst të pastër politik, fatkeqësisht po përfshihet një pjesë e medias dhe në mënyrë pasionante edhe pjesa më e madhe e opinionistëve politikë. Falë këtij vullneti dhe pasioni, norma e politizimit vjen duke u shtuar dhe elementet e pasionit dhe dasisë partiake po bëhen shumë më evidente. Është një brendi e ngjashme me atë të pikut të tranzicionit në vitet 1996 apo në vitet 2002. Në këtë ndarje kryeshquhet protagonizmi i ish-kryeministrit Berisha, që tashmë është thjesht deputet opozitar, por një protagonist i pafre i politizimit dhe i egërsisë komunikuese në politikë.
Aksioni opozitar për politizim të çdo goditjeje të bujshme, si dhe të rekrutimeve në Policinë e Shtetit, është lehtësisht e dukshme se ka në epiqendër ideatorin aktiv, ish-kryeministrin. Ky politizim po ia del të shtojë perceptimin e rëndimit të atmosferës sociale. Rasti më shprehës i saj ishte i lidhur me zbulimin prej policisë dhe strukturave antikrim të grupit të vrasësve me pagesë, si dhe i një baze me arsenal mjetesh shpërthyese. Diskutimet dhe debate për këtë zbulim u fokusua më shumë diabolikisht se ishte dorëzuar vetë njëri prej të quajturve “i penduar” apo ishte falë punës së strukturave policore. Një diskutim i tillë i pashembullt, në thelbin e vet ishte shmangie dhe spostim nga thelbi dhe tentativë e mirorganizuar për t’iu shmangur asaj çka lidhej me këtë sukses. Në këtë qëllim politik bashkë me një pjesë të opozitës, në të cilën dallohet zoti Berisha, u përfshinë edhe disa kolegë të opinionbërjes. Në fakt rreziku i evituar është i tmerrshëm dhe këtë e njohim fragmentarisht nga raportimet e reporterëve të kronikës në shtyp dhe mediat audiovizive. Por pavarësisht kësaj, më e rëndësishme për politikën është të vijojë stuhia e polemikës e për rrjedhojë edhe konfliktit politik. Qëllimi politizues është më i nevojshëm se sa luajaliteti për një shtet që garanton rendin dhe sigurinë.
Përfshirjen në këtë rol kundërpërgjigjës për akuzat e disa opozitarëve dhe sidomos ish-kryeministrit Berisha, të ministrit të Brendshëm Tahiri, lehtësisht mund ta cilësojmë si një pozicion, nga i cili zoti Berisha përfiton mundësinë e ripërdorimit të “mjetit të tij të vjetër”. Mirëpo ecja në këtë korsi e komunikimit dhe përballjes me opozitën është një mundësi e madhe të shumëfishohet doza e “karbonizimit” politik të atmosferës dhe komunikimit në skenën politike dhe në institucionet politikëbërëse. Sado pozitivizëm të ketë në institucionet dhe mjediset ndërkombëtare për vlerësimin e arritjeve apo statusit të vendit kandidat për anëtar në BE, kur tendenca është për përkeqësim marrëdhëniesh mes pozitës dhe opozitës, atëherë ndarja bëhet më e thellë dhe antagonizmat japin më shumë dëshmi. Tashmë konfliktet e para institucionale janë shfaqur: Parlamenti refuzon apo rrëzon dekrete të Presidentit, sikundër ky i fundit komenton politikisht shumicën parlamentare. Në ditët e ardhme, të tjera mund të shfaqen. Në kësi kushtet dhe këtë atmosferë, nuk është e tepërt të themi që situata politike në vend është “brenda karbon e jashtë dritë”.
Top Channel