Reforma kurrukulare, sfida e madhe e universiteteve

02/02/2014 00:00

Pëllumb KARAMETA – Një reformë universitare e plotëson misionin e saj, nëse i kthen
universitetet në qendra debati, reference dhe ekspertize. Që ofrojnë
zgjidhje dhe alternativa për problemet që përball shoqëria; zgjidhje që,
sakaq, u shërbejnë nevojave të tregut.

Përndryshe diskutimeve të shumta rreth aspekteve financiare, elementeve infrastrukturore e deri te raporti universitet publik-privat, në vijim, çka parashtrohet, prek elementin kyç të procesit formues të studentit, kurrikulën universitare. Në kontekstin e përgjithshëm, besoj se janë mungesat dhe problemet në shoqëri, në shkollim, në shkenca, shoqëruar me mungesën e qartësisë për arsimin e lartë, ato që prodhojnë një kurrikul që nuk përputhet me nevojat e studentëve, që nuk plotëson nevojat për profesionistë kompetentë dhe nuk siguron kërkues të aftë. Ndaj, zgjidhja e problemit kërkon qasje të re, revolucionare do të thosha, që integron thellë qëllimet, programet e studimit, pedagogjitë, besimet/vlerat e pedagogëve, burimet e nevojshme dhe komunitetet.

Në këtë kontekst, zgjidhja e problemit lidhet me prurjet e reja teorike e praktike që reflektojnë zhvendosjen reformuese: në hyrje, universiteti, nga “filtri” që i seleksionon studentët, të harmonizojë parimet e barazisë së mundësive dhe të diversitetit; në proces, vendin qendror ta zërë studenti, ndërsa pedagogu të funksionojë si kërkues, si organizator dhe mbështetës i procesit të ndërtimit të njohurive dhe kompetencave nga studentët; në dalje, specialisti erudit t’i lërë vendin profesionistit kompetent, i aftë të përballë sfidat e profesionit. Sigurisht, ky pohim, që abstragon në nivelin më të lartë, përbën qëllimin. Plotësimi i tij kërkon gjedhe (paradigma) të reja njohëse, zbatimin e teorive të reja rreth nxënies dhe rolit të aktorëve në proces si dhe një arsenal mjetesh kurrikulare adekuate.

Dekadën e fundit, bota e arsimit, në tekstet e saj zyrtare, duket se ka pranuar referencën socio-konstruktiviste. Sipas kësaj reference, “njohuria” dallon nga “dija” (E. von Glasersfeld, 1994, cituar sipas Ph. Jonnaert, 2011), dallim ky me ndikim të drejtpërdrejtë mbi kurrikulën dhe nxënien.

Sipas mënyrës klasike, me “dije” nënkuptohen dijet e strukturuara dhe të përshkruara në manualet shkollore, në veprat e specializuara apo doracakët profesionalë, të pranuara dhe vlerësuara nga shoqëria. Dijet janë produkt i komuniteteve të dijetarëve. Nisur nga çasti që shoqëria i njeh, ato vlerësohen dhe kodifikohen, p.sh., në programet e studimit, që të mund të njihen dhe ndahen mes të interesuarve, pa harruar relativitetin e tyre. Sapo një dije ndërtohet (ose rindërtohet) nga subjekti, ajo bëhet njohuri për këtë të fundit. Ndaj, nuk mund të ketë përputhje ndërmjet “dijeve” të kodifikuara si tekste, “dijeve” që transmeton pedagogu dhe “njohurive” që ndërton studenti. Kur flasim për dije, këtu kemi parasysh përmbajtjet e programeve, manualeve shkollore etj., pra përmbajtjet disiplinore. Kur flasim për njohuri, i referohemi trashëgimisë njohëse të çdo subjekti. Njohuritë kanë lidhje me personin; ato ndërtohen përgjatë ndërveprimit me situatat dhe reflektimit mbi arritjet; ato janë të zbatueshme përkohësisht; ato kërkojnë medoemos praktikën për të verifikuar vlefshmërinë; ato ndërtohen individualisht në situata, duke respektuar standardet e pranuara. Si të tilla, njohuritë pasqyrojnë dijet, janë dinamike dhe veprojnë si procese mes të cilave ndërtohen njohuri e reja dhe fitohen kompetencat.

Në këtë kontekst, pikëpamja tradicionale për dijen si diçka, që personi e grumbullon në kokën e tij për ta përdorur më vonë kur t’i duhet, duhet t’i hapë rrugën kuptimit të ri: dija mund të bëhet njohuri që vlen, vetëm kur përdoret për të prodhuar diçka të re. Kuptimet e reja për njohurinë, dijen dhe raportin dialektik mes tyre përbëjnë sfidën madhore për universitetet tona (Piazhe, te “Logjika e njohurisë shkencore” thotë: “Inteligjenca nuk fillon as nga njohuria që kam unë, as nga gjërat sikundër ato janë, por nga ndërveprimi mes tyre dhe vetëm duke organizuar ndërveprimin mes këtyre dy poleve që përfshijnë botën, organizohet inteligjenca”).

Idetë, që lidhen me kuptime të tilla, janë reflektime rreth qasjeve bashkëkohore në fushën e reformimit kurrikular. Që nga viti 1960, shumë universitete i formojnë studentët me qasje që bazohen në ndërveprimin në situata. P.sh., në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Harvardit, ekziston rindërtimi i gjykatës dhe studentët simulojnë gjyqe me dosje nga rastet reale. Aspekt kyç i këtij lloj formimi është grupi i kompetencave gjithëpërshkuese dhe specifike që duhen përzgjedhur. Studimi i Meijers & kolegët (2005), rreth përvojës së disa universiteteve në Holandë që kanë formuluar shtatë fusha kompetencash, ilustron idenë si mund të përkthehet ideja e arsimimit akademik në terma operative për kurrikulat Bachelor dhe Master. Po kështu, një kuptim më të plotë rreth formimit të kompetencave specifike për fusha të ndryshme ofrohet nga qasja Tuning [http://www.unideusto.org/tuningeu].

Përvoja të tilla nxitin të besosh se sfida e reformimit kurrikular kërkon të mendohet ndryshe për universitetet. Për këtë, na duhet t’u rikthehemi bazave të arsimimit dhe të rikonceptojmë shumë prej ideve tona për universitetet, për qëllimet e tyre dhe për mënyrat si duhen plotësuar më mirë ato; të rimendojmë mjaft prej atyre që bëjmë në universitete, por dhe përse i bëjmë.

Më së pari, të kuptojmë se kulti tradicionalist i dijes është një nga rrënjët e fuqishme të atij mekanizmi gjigant që po zhvlerëson diplomat dhe po ndan inxhinierët, ekonomistët, mjekët, juristët, agronomët etj., vetë universitetet pra, nga jeta reale. Një kult i tillë bën që shkollat tona të nguliten thellë në orientimin akademik, i cili është përjetësuar në besime dhe tradita të shumta që e bëjnë më të fuqishmin e normave të “shenjta” të shkollimit. Ky orientim ka krijuar kurrikulën e shpërpjesëtuar dhe përzgjedhëse që mbizotërohet nga përmbajtjet disiplinore të dekontekstualizuara. Kurrikul që u vlen pak studentëve, pasi fragmentarizon dijet shkencore dhe nuk ndjek ritmin marramendës të ndryshimit në shkencë dhe në teknologji. Kurrikul që i shkëput ata nga përvojat dhe projektet e tyre, duke “ballkanizuar”, kështu, disiplinat shkencore, ciklet dhe departamentet universitare.

Sigurisht, kulti ka dhe rrënjë të tjera, njohëse, politike dhe arsimore që e ushqejnë, e mbajnë gjallë dhe e bëjnë kërcënues, për të cilat duhet folur herë tjetër. Përkundër tij, besoj se personi zhvillon inteligjencën dhe ndërton kompetencat profesionale përmes veprimit, projekteve dhe përvojave të tij, duke reflektuar mbi veprimet që kryen dhe mbi rezultatet që përfton prej tyre, pasi subjekti nxë dhe i kupton situatat e reja mes asaj që njeh tashmë dhe i ndryshon njohuritë e tij të mëparshme për t’ia përshtatur situatave të reja.

Në kontekstin e argumenteve të parashtruara, universitetet mund të vijojnë t’i formojnë studentët me një kurrikul që thekson (ose kryqëzon) disiplinat dhe nëndisiplinat dhe ta konceptojnë përmbajtjen akademike si pikënisje dhe pikëmbërritje të procesit formues. Por ata mund të zgjedhin dhe ndryshe: të synojnë aftësimin e studentëve për t’i përdorur përmbajtjet lëndore dhe ato jetësore si burime për të ndërtuar kompetencat profesionale, të kuptuara këto si kapacitete që e lejojnë studentin të integrojë sistemet konceptuale dhe procedurore me shkathtësitë dhe vlerat dhe të arrijë trajtimin e duhur të situatave profesionale.

Zgjedhja u takon universiteteve. Pas kësaj mund të diskutohet për organizimin e strukturave programore, për aspektet financiare apo elementet infrastrukturore. Sepse të gjitha këto janë funksion i kurrikulës që ndërton dhe zhvillon universiteti.

Marre nga gazeta “Shqip”

Top Channel