Një shtetas amerikan dhe një francez, të cilët janë kthyer në vendet e tyre të origjinës pasi u larguan nga një anije turistike e goditur nga një shpërthim vdekjeprurës i hantavirusit, kanë rezultuar pozitivë, thonë autoritetet.
Departamenti i shëndetësisë i SHBA-së tha se një shtetas i dytë amerikan në fluturimin e riatdhesimit kishte treguar gjithashtu simptoma të lehta, duke shtuar se të dy pasagjerët ishin kthyer në “njësi bio-kontrolli për shkak të kujdesit të tepruar”.
Ministrja franceze e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, tha se një grua ishte në izolim në Paris dhe shëndeti i saj po përkeqësohej, me 22 raste kontakti të gjurmuara. Më shumë se 90 pasagjerë të anijes MV Hondius, aktualisht e ankoruar në Ishujt Kanarie të Spanjës, po riatdhesohen.
Në përditësimin e fundit nga Tenerife të hënën, zyrtarët spanjollë thanë se 54 persona ishin ende në bordin e anijes. Ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Mónica García, tha se gjashtë prej tyre ishin pasagjerë, katër australianë, një britanik dhe një neozelandez.
Rreth 22 persona do të zbrisnin nga anija për të fluturuar për në Holandë të hënën, tha ajo, përfshirë australianët që pritej të ktheheshin direkt në shtëpi, por avioni i të cilëve nuk mund të garantohej se do të mbërrinte në kohë.
Ajo tha se MV Hondius pritej të nisej për në Holandë më vonë të hënën. Tre pasagjerë, një çift holandez dhe një grua gjermane kanë vdekur pasi udhëtuan në anije. Dy prej tyre janë konfirmuar se e kanë pasur virusin.
Top Channel