Veliaj takon minatorët e Bulqizës

01/02/2014 00:00

Në kuadër të fushatës “Shqipëria Punon”, ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj vizitoi Bulqizën ku zhvilloi një bashkëbisedim me minatorët.

Ai është ndalur në oborrin e godinës së ACR-së dhe ka folur gjatë me drejtuesit e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë si dhe punonjës të kësaj miniere.

Drejtuesit e sindikatës Kolë Nikollaj, Tafë Koleci e Luan Nika thanë se firmat konçesionare duhet të bëjnë më shumë në drejtim të përmirësimit të kushteve të minatorëve, rritjen e pagave për minatorët, ndaljen e abuzimeve nga subjektet e paliçencuara, etj.

Sindikalistët u shprehën se është e domosdoshme të hapet një shkollë e mesme profesionale për teknikë ndërtimi në qytetin e Bulqizës. Gjatë këtij takimi u ngritën shumë probleme të tjera përsa i përket firmës Balfin Grup, për vënien sa më parë në punë të Traverbankut të Klosit dhe rihapjen e uzinës së ferrokromit në Burrel.

Para fillimit të takimit ka patur një incident. Ish-kryetari i Këshillit Sindikal të Minatorëve të Bulqizës, Dilaver Perkoxha ka tentuar të pengojë hyrjen në mjediset e ACR të këshilltarit të ministrit, Bashkim Sala dhe të ministrit, por kanë ndërhyrë forcat e rendit dhe kanë ndaluar Perkoxhën.

Top Channel