
Një tjetër hetim pritet të hedhë dritë mbi të pathënat e diplomacisë shqiptare jashtë vendit. Prokuroria ka marrë një kallëzim për ish-konsullen e përgjithshme të Shqipërisë në Milano, Nausika Spahija, e akuzuar nga Ministria e Jashtme për shpërdorim detyre, vjedhje të pasurisë shtetërore, fshehje të gjurmëve të veprës penale dhe pabarazi në tendera.
Një raport i hartuar në përfundim të një auditi vë në pikpëpyetje një kontratë të 2 marsit 2010, që sipas ministrisë është lidhur në tejkalim të kompetencave mes ish-konsulles së përgjithshme Spahija dhe një subjekti tregtar të identifikuar si “Inter Call – Contact Center SH.P.K”, ky i fundit me qendër aktiviteti Shkodrën.
Në dokumentacionin e administruar rezulton, thotë kallëzimi, se ish-konsullja e përgjithshme në Milano nuk kishte asnjë tagër për një kontratë të tillë, e cila cakton kushtet për fiksimin e takimeve me shtetasit shqiptarë që kërkojnë pajisje me dokumentat biometrike apo kartë identiteti.
Ministria e Jashtme i thotë organit të hetimit se sipas ligjeve në fuqi, ofrimi i shërbimeve të tilla është një nga detyrat kryesore të posteve konsullore dhe se tarifat për lëshimin e akteve të tilla janë të caktuara me ligj dhe, vijohet më tej, aplikimi i çdo tarife shtesë në veprimtaritë konsullore detyrimisht bëhet ose me ligj, ose me akt nënligjor.
Sipas kallëzimit, kompania shqiptare me të cilën është lidhur kontrata ka përfituar të ardhura që i kanë shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë shtetasve shqiptarë, pasi rezulton se në këtë periudhë kanë aplikuar për pasaportë biometrike mbi 14 mijë qytetarë dhe se takimet për të marrë shërbimin konsullor janë lënë nëpërmjet call center-it në fjalë e duke bërë një llogaritje të kostos së telefonatave, thuhet më tej, çdo shtetas ka harxhuar 5 euro për telefonatë.
Auditi shprehet se pretendimet e shtetasve janë depozituar pranë Avokatit të Popullit për shërbime me vlerën 2 deri në 3 herë më të lartë. Shkelja e barazisë në tendera argumentohet me faktin se nuk janë ndjekur proçedurat standard të prokurimit publik, siç janë testimi i tregut apo oferta ekonomike. Për vjedhjen e pasurisë referohen dokumentat bankare ku e kallëzuara urdhëron shlyerjen në favor të subjektit në shumën e 45 mijë eurove.
Ndërkohë që fshirja e gjurmëve të veprës penale, sipas kallëzimit, konkludohet nga ndërhyrjet në kompjuterin e ish-konsulles, pasi sipas auditit është e provuar se takimet janë caktuar me call center, por grupi auditues nuk gjeti asnjë gjurmë të email-it, një adresë kjo që është inekzistente si për personelin e konsullatës edhe për Ministrine e Jashtme.
Balla: Shembull i korrupsionit
PS reagon në lidhje me kallëzimin e ish-konsulles në Milano
Për aferën korruptive të konsulles Nausika Spahia, në emër të grupit parlamntar socialist reagoi nënkryetari Taulant Balla. “Pushteti i djeshëm, jo vetëm që i mbushi ambasadat dhe konsullatat me familjarë dhe militantë partie, por për vite me radhë vodhi emigrantët me shërbime të paligjshme me pagesë”, thotë Balla.
Sipas tij, Konsullata e Milanos është një ndër shembujt tipikë të korrupsionit nëpër konsullata, prandaj dhe grupi parlamentar i PS mbështet reformën e nisur nga ministri Bushati.
“Nga dokumentacioni, që gjendet i administruar në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Milano dhe arkivin e MPJ-së, rezulton që për lidhjen e kontratës më datë 02.03.2012, midis zonjës Nausika Spahia dhe subjektit tregtar “Inter Call – Contact Center SH.P.K”, ish-konsullja e përgjithshme në Milano nuk ka gëzuar asnjë tagër dhe nuk ka marrë asnjë autorizim nga organet kompetente”, shton Balla.Bushati. “Për lidhjen e kontratës midis zonjës Spahia dhe subjektit tregtar “Inter Call”, ish-konsullja nuk ka gëzuar asnjë tagër”, shton Balla.
Top Channel