
Një 36-vjeçar i dyshuar për dy sulme ndaj makinës personale të drejtorit
të arsimit në Korçë është prangosur nga policia lokale, ndërkohë që
ende nuk dihet motivi i qartë që i arrestuari ka pasur për këtë ngjarje
kriminale.
Oltion Kondi, një person me precedentë të mëparshëm penalë është vënë në pranga, duke u bazuar në prova shkencore që janë gjetur në vendin e ngjarjes, por ai nuk e ka pranuar një akuzë të tillë.
Burimet policore të Drejtorisë së Korçës bënë të ditur se pas hetimesh intensive të kryera nga strukturat e antikrimit u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes së ndodhur disa ditë më parë, ku u shkatërrua mjeti i drejtorit të Drejtorisë Rajonale Arsimore në Korçë, Kristaq Grabocka. “Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë u bë ndalimi i shtetasit Oltion Irakli Kondi, 36 vjeç, i dënuar më parë për plagosje dhe vepra të tjera penale”, deklarohet në njoftim për shtyp. Nga hetimet intensive të kryera nga strukturat e policisë, si dhe bazuar në provat e grumbulluara, ky shtetas rezulton të jetë autori i dyshuar i shkatërrimit të mjetit me zjarr, në pronësi të Grabockës, ngjarje kjo e ndodhur më datë 18 janar 2014. Sipas të dhënave, arrestimi i tij është bërë në bazë të gjurmëve të gjetura në vendin e ngjarjes, të cilat janë krahasuar me databazën e policisë, por Kondi nuk e ka pranuar akuzën. Ai është shprehur para policisë se nuk kishte gisht në këtë ngjarje kriminale.
Mjeti privat i kreut të Drejtorisë Arsimore në Korçë ra pre e sulmeve vandale dy herë brenda pak ditësh. Herën e parë, Kristaq Grabockës, i emëruar kohët e fundit si kreu i arsimit për këtë qark, mësohet se i kanë thyer xhamat e makinës dhe policia po hetonte për identifikimin e autorëve, ndërkohë që më vonë, atij i kanë djegur mjetin me benzinë. Në lidhje me këtë, policia e Korçës pati njoftuar se automjeti “Nissan Almeria”, me targë AA 050 CS, është djegur me benzinë rreth orës 03:00 të datës 18 janar në lagjen nr. 3 të qytetit të Korçës.
Top Channel