Profesioni i ndërmjetësit

29/01/2014 00:00

Të gjesh zgjidhje pa iu drejtuar gjykatës. Një profesion i ri, ai i ndërmjetësit të ofron pikërisht këtë: një sistem alternativ për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet dy apo më shumë palëve pa harxhuar kohë dhe me një kosto më të ulët sesa një proces gjyqësor.

Një tendencë e fundit e shoqërive moderne që ka hedhur hapat e parë edhe në Shqipëri.

Por, kush mund te jete ndermjetes?

Jo kushdo mund ta bëjë këtë profesion. Megjithëse ndryshe nga ç’mund te mendohet, personi që zotëron një licensë të tillë s’është medoemos jurist.

Sipas ligjit për ndërmjetsimin, kriteret që duhet të përmbushë një person për të qenë ndërmjetës janë këto:

a) duhet të ketë kryer programe të studimeve të ciklit të parë, sipas përcaktimeve të legjislacionit për arsimin e lartë;
b) të ketë mbushur moshën 25 vjeç;
c) të mos jetë dënuar për kryerjen me dashje të veprave penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë;
ç) të ketë përfunduar programin e trajnimit dhe të formimit profesional të ndërmjetësve, të miratuar nga Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve.
d) të jetë i licencuar dhe i regjistruar në Regjistrin e Ndërmjetësve.

Arma më e fortë e një ndërmjetësi janë aftësitë e spikatura në komunikim dhe etika. Një ndërmjetës profesionaist nuk është vendimmarrës, por është i paanshëm dhe i besueshëm.

Ndërmjetësimi gjen hapësirë zbatimi në shumë fusha. Ai përdoret lidhur me mosmarrëveshjet në marrëdhëniet e punës, në ato tregtare, në çështjet e të drejtës civile, e shumë të tjera përvecse cështjeve penale të rënda.

Top Channel