Rama pranon kërkesën e opozitës

22/01/2014 00:00

Duke e quajtur këtë reformë si jetike për zhvillimin normal të vendit
Kryeministri edhe një herë tjetër qartësoi pozicionin e Qeverisë ndaj
opozitës, kur tha se votat e nevojshme të shumicës që Aleanca për
Shqipërinë Evropiane i ka, janë arsyeja e fundit, jo e para, për të
besuar se këtë herë politika shqiptare nuk mund të jetë pengesa e
papërgjegjshme tradicionale, në rrugën e kësaj reforme.

“Ne duam që këtë reformë ta udhëheqë Kuvendi i Shqipërisë, me një Komision të posaçëm Parlamentar. Dhe jo vetëm e dëshirojmë pjesëmarrjen e plotë të opozitës në konceptimin dhe në hartimin e projektit të reformës, por kemi të gjithë gatishmërinë që mbi bazën e praktikës së mirë të Komisioneve Parlamentare Bipartizane t’i njohim opozitës të drejtën e bashkëkryesimit të komisionit, si dhe të gjithë të drejtat që garantojnë barazinë në Komision, përfshirë edhe veton, siç është përdorur në praktikën e komisioneve të Reformës Zgjedhore.  Prandaj, dëshirojmë dhe urojmë që opozita ta nxjerrë jashtë axhendës së aksionit të vet legjitim antiqeveritar, këtë temë të madhe të politikës kombëtare dhe të mos mungojë në rrugën e një reforme me interes të madh kombëtar, me interes të madh publik, me interes të madh komunitar”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi se ne kushtet e sotme të Shqipërisë, kjo është kryereforma. Sipas tij ajo krijon mundësi për një rilexim të situatës së sotme të territorit në kushtet kur pjesë të tëra të popullsisë kanë mbetur jashtë rrugëve të zhvillimit. Ajo vendos dhe standarde të reja për trajtimin e potencialeve të çdo pjese të territorit të vendit. Për menaxhimin e këtyre potencialeve në të mirë të cdo komuniteti. Suksesin e kësaj reforme kryeministri Rama e lidhi me atë që ai e quajti një proces modernizmi që e bën Shqipërinë më të gatshme, që të ketë akses në fondet strukturore dhe e bën ndërveprimin në Bashkimin Europian më të lehtë.

Ndërsa Bledi Çuçi, ministër i Pushtetit Vendor tha se politika shqiptare ia ka borxh qytetarëve shqiptarë këtë reformë, që prej viteve 1990. Realizimi i kësaj reforme do të asistohet nga Qeveria amerikane, ajo zvicerane dhe suedeze përmes projektit STAR. Në emër të tre shteteve që financojnë këtë projekt, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu theksoi nevojën e bashkëpunimit politik.

“Për mbi 10 vjet vjet Shqipëria dhe komuniteti ndërkombëtar janë në një mëndje se sistemi i tanishëm i njësive të shumfishta të qeverisë vendore është i paqëndrueshëm. Populli shqiptarë ka paguar çmimin e shërbimeve nën standarde.Ne e përkrahim përpjekjen e Qeverisë shqiptare për ta bërë procesin e reformës administrative territoriale, të tillë që të ndjekë standardet ndërkombëtare për objektivitet analitik, transparencë dhe gjithëpërfshirje. Nxisim Qeverinë të sigurohet në dëgjimin e zërave të të gjithë qytetarëve, në këtë proces nëpërmjet përfaqësuesve të tyre të zgjedhur. Produkti më i mirë për vendin do të ishte një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe pjesëmarrëse”, tha Arvizu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA