Durrës, sekuestrohen 450 kg hashash

22/01/2014 00:00

Një sasi e konsiderueshme hashashi është sekuestruar në orët e vona të
së martës në Durrës. Droga u konstatua në Pikën e Kalimit Kufitar në
port brenda një trajleri të ngarkuar me mineral ferrosilic që vinte nga
Maqedonia tranzit për në Shqipëri drejt Italisë.

Sasia që nuk është peshuar ende, po mbahet e pahapur në ruajtje për të nisur veprimet dhe peshimin këtë mëngjes, u gjet në trajlerin me targa ST 935 TH të drejtuar nga shtetasi maqedonas Bote Ampov.

Paraprakisht deklarohet që sasia e bimës narkotike e futur brenda thasëve me mineral të kalojë 450 kilogramë. Sipas burimeve nga policia kufitare bëhet e ditur se trajleri, koka e të cilit ka targën KO 0343 TB i përket firmës “Pek-Trans” me qendër në Vinica, një qytet në pjesën lindore të Maqedonisë. Dyshohet se droga që do të trafikohej drejt Italisë mund të jetë ngarkuar në territorin shqiptar. Në orët në vazhdim pritet të nisin hetimet për të përcaktuar origjinën e mallit të ndaluar dhe destinacionin.

Top Channel