“Viktimat e 21 Janarit u përdhosën”

21/01/2014 00:00

Në këndvështrimin e Partisë Demokratike, që nga 21 janari i 2011-ës, shumë pak gjëra kanë ndryshuar. Dje në pushtet dhe sot në opozitë ajo vazhdon të këmbëngule se Partia Socialiste, edhe në qeveri po i  përdor politikisht viktimat e 21 janarit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në atë kohë, Ministër i Brendshem, përgjigjet fare shkurt, por i qartë në qëndrimin e tij, kur u pyet rreth akuzës së kryeministrit Edi Rama për drejtësinë e munguar gjatë përkujtimores se përbashkët me LSI-në.

“Pasojat e 21 janarit nuk mund të ndahen kurrë nga shkaku, shkaktarët dhe organizatorët e 21 janarit, që sot përdhosën kujtimin e viktimave të 21 janarit”, tha kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Disa minuta përpara këtij qëndrimi, ish-kryeministri Sali Berisha kishte bërë një reagim në faqen e tij në Facebook, ku kishte shprehur bindjen e tij të njohur se sulmi ndaj Këshillit të Ministrave me 21 janar ishte i organizuar dhe koordinuar nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama për marrjen e pushtetit me dhunë.

Sipas ish-kryeministrit kjo është arsyeja e vërtetë e protestës, ndërsa “blloku i Ilir Metës”, sic thotë zoti Berisha, ishte vetëm shkaku i gjetur nga Edi Rama.

Duke vënë në dukje mbrotjen e institucioneve dhe rendit kushtetues me vetëmohim dhe  heroizëm nga forcat e policisë dhe të Gardës së Republikës, ish-kryeministri shpreh ngushëllimet për viktimat e 21 janarit dhe e denoncon atë ditë si ngjarjen më të rëndë të 80 viteve të fundit të shtetit shqiptar.

“Politika nuk zbardh 21 Janarin”
Ish-presidenti Topi akuzon Berishën: Dhunoi hapur shtetin

Për këtë ngjarje reagoi edhe kryetari i FRD-së, ish-Presidenti Bamir Topi. Ai tha se, edhe pas tre vjetësh, politika që e prodhoi 21 Janarin nuk e zbardh atë.

Topi akuzoi ish-kryeministrin Berisha për dhunim të hapur të shtetit, për sa i takon ngjarjes së tre vjetëve më parë. Ai tha se drejtësia duhet të ishte zëri i rëndësishëm i shtetit, për të bërë drejtësi.

“Në esencë qëndron filozofia e ish-pushtetit për ta dhunuar shtetin në qelizën e tij. Dhe më e rëndësishmja, që ka të bëjë përsëri me shtetin, është që e drejta, që e presin qytetarët, është moszbardhja e asaj që ka ndodhur më 21 Janar. Po kthehet në një lloj rituali të papranueshëm, që sa herë do të vijë 21 Janari, ka disa prononcime politike, të cilat arrijnë kulminacionin e tyre më 21 Janar, dhe shuhen përsëri më 22 Janar. Kjo është totalisht e papranueshme dhe tregon edhe njëherë që, ka qenë politika ajo që prodhoi 21 Janarin dhe është ende politika, që nuk do ta zbardhë atë ngjarje. Drejtësia, normalisht, duhet të ishte zëri më i rëndësishëm i shtetit për të vendosur drejtësi. Drejtësia, ende vazhdon të jetë prodhim puro i politikës”, u shpreh Bamir Topi, ish-President i Republikës së Shqipërisë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta