Tre vjet nga vrasja e 4 protestuesve

21/01/2014 00:00

Në përkujtimin e 3-vjetorit të 21 Janarit, familjarët e katër protestuesve të vrarë, për herë të parë kanë hyrë  brenda ambienteve të godinës së Kryeministrisë, nga ku në anën e përparme të saj u qëllua nga gardistët në drejtim të afërmëve të tyre.

Përmes një fjalë të shkurtër kryeministri Edi Rama që në fillim u shpreh se ky 21 Janar e gjen Shqipërinë krejt ndryshe.

“Këto shkallë, shkallët e Kryeministrisë, nuk janë më shkallët që ndanin popullin poshtë, matanë gardhit të hekurave, me qeverinë lart, pas hekurave të gardhit. Kjo godinë nuk është më fasada e frëngjive ku dilnin tytat e armëve për të qëlluar mbi njerëzit, në emër të pushtetit të vjedhur, po vendi ku qeveria e zgjedhur nga njerëzit punon me njerëzit dhe për njerëzit. Ky bulevard nuk është më rruga e ndarjes me kufirin e frikës mes pushtetit që të merr gojën, bukën dhe edhe shpirtin, të qytetarëve që ecin, mendojnë, flasin, tubohen, protestojnë”, tha Rama.

Kryeministri lëshoi kritika të forta për sistemin e drejtësisë duke e quajtur atë një ferr të ri për shqiptarët.

“Shumë gjëra kanë ndryshuar nga 21 janari i padrejtësisë së përgjakshme, por një nga shumë gjërat që nuk ka ndryshuar, më e rënda dhe më fyesja për Shqipërinë në mes të Evropës, për Shqipërinë në rrugën e Bashkimit Evropian, për Shqipërinë e dalë para thuajse çerek shekulli nga ferri i padrejtësisë së komunizmit, është ferri i sistemit të sotëm të drejtësisë.Është ferri ku përvëlohen të varfrit, të dobëtit, të pambrojturit.Është ferri ku përpëliten nënat që kërkojnë hakun e djemve të vrarë, gratë që kërkojnë drejtësi për vrasësit e burrave të tyre, fëmijët që shohin të lirohen kriminelët që i’u baballarët nën ledh. Koha nuk pret, por më shumë akoma, Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë më durim, me plot të drejtë, përballë shfaqjes së përditshme të këtij ferri përqeshës. Reforma e thellë e drejtësisë është imperativi i kësaj kohe dhe vendosja e drejtësisë mbi binarët e kushtetutës dhe të ligjit është ultimatumi i popullit sovran, në 23 qershorin e vitit që sapo lamë pas, për “Aleancën për Shqipërinë Evropiane”. Shqiptarët e kërkojnë këtë me ngulm. Bota e kërkon me ngulm këtë nga Shqipëria. Parlamenti i Shqipërisë ka detyrën ta bëjë dhe Aleanca për Shqipërinë Evropiane ka detyrimin të ngulmojë fort për këtë dhe të mos e zhgënjejë popullin që e votoi edhe për këtë, në mos, në radhë të parë për këtë!”, shtoi Kryeministri.

Bashkarisht me familjarët e Aleks Nikës, Ziver Veizit, Hekuran Dedes dhe Faik Myrtajt kryeministri Rama dhe qindra qytetarë janë përulur përpara portreteve të tyre duke vendosur lule.

Në kujtim të katër viktimave të pafajshme,  në këtë përvjetor të tretë janë vendosur katër pllaka bronxi në bulevard të cilat kryeministri Rama I përshkroi si shenja për të gjithë të tjerët, shqiptarët e gjeneratave të tjera që do të kalojnë mbi këtë rrugë dhe do t’i prekin me sy ato shenja, si plagët e një të shkuare për të mos u përsëritur dhe as harruar më kurrë.

Edhe ky 21 Janar nuk ka qënë i lehtë jo vetëm për familjarët, por për të gjithë ata që ishin në Bulevard 3 vjet më parë për aq kohë sa Gjykata e Apelit ndëshkoi minimalisht gardistin Agim Llupo dhe komandantin e gardës Ndrea Prendi, ndryshe nga sa kërkoi prokuroria. Vendim që nxiti jo pak reagime dhe polemika politike, por edhe zhgënjimin e  ambasadave të rëndësishme në vend.

Por a mund të presin familjarët e katër viktimave drejtësi nga drejtësia shqiptare? Procesi tani pret fjalën e fundit në gjykatën e fundit, atë të Lartë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta