
Ndërhyrjet e hakerave në faqen e Ministrisë së Drejtesisë kanë bllokuar
edhe Shërbimin Përmbarimor Privat. Gati 130 përmbarues në shkallë vendi
kanë pezulluar punën dhe nuk mund të hedhin dosjet dhe veprimet e tyre
në shërbimin ‘Albis’, pasi faqja është e bllokuar.
Sipas kreut të Dhomës Kombëtare të Përmbarimit, Petrit Qarri përmbaruesit ndodhen në kete situate prej të enjtes.
“Bazuar në nenin 516, përmbaruesi gjyqësor privat ka detyrimin ligjor të njoftojë Ministrinë e Drejtësisë, duke regjistruar dosjen, e cila ka ardhur për ekzekutim. Në këtë fazë që jemi sot, ne nuk mund të regjistrojmë asnjë gjë. Kjo sjell një anomali në punën tonë. Përmbaruesit gjyqësorë janë të pezulluar të gjithë për çdo lloj veprimi që mund të kryejnë në lidhje me sistemin”, tha Qarri.
Një ditë më parë këtë situatë e denoncoi edhe Dhoma Kombëtare e Noterisë, e cila nuk mundet t’u shperndaje qytetareve deshmite e trashëgimisë.
Nga ana tjetër Ministria e Drejtesise, mesohet ne rruge jo zyrtare, se ka kallëzuar ne Prokurorine e Tiranes, e cila ka regjistruar procedimin penal. Por kreu i Permbaruesve ne vend ngre edhe nje problem tjeter, qe është braktisja nga policia në aksionet që permbaruesit kryejne.
“Kemi një muaj e gjysmë që ne nuk e kemi rinovuar këtë marrëveshje. Kjo ka sjellë që përmbarimi gjyqësor privat të pezullohet totalisht, sepse duhet parasysh që përmbaruesi nuk mund të veprojë pa mbështetjen e policisë. Prandaj duke qenë se këtu duhet të ketë një koordinim mes Policisë së Shtetit dhe përmbaruesit, vetë ligjvënësi në nenin 523 e ka lidhur dhe e ka bërë detyrim ligjor policinë për ta mbështetur përmbaruesin ligjor. Jemi në një moment të tillë që mbëstetet përmbarimi shtetëror dhe nuk mbështetet ai privat”, tha Qarri.
Top Channel