Vlorë, atentat kryetarit të komunës

20/01/2014 00:00

Një tjetër atentat me eksploziv ka ndodhur në qytetin e Vlorës, shënjestër e të cilit këtë herë ishte kryetari i Komunës Qendër në këtë rreth, Alfred Berberi. Ai ka mbetur i plagosur si pasojë e shpërthmit të një sasie eksplozivi në automjetin e tij.

Mjeti po lëvizte në bulevardin qendror të Vlorës, kur ka shpërthyer në ecje. Pas shpërthimit automjeti vijoi lëvizjen, duke u ndalur vetëm pasi goditi disa mjete të tjera, të parkuara në rrugë.

Kalimtarët kanë nxituar për të nxjerrë nga automjeti gjysmë i shkatërruar kryetarin e Komunës Qendër, i cili gjatë pasdites u transportua në Spitalin Ushtarak për mjekim më të specializuar.

Policia bllokoi zonën në vendin e ngjarjes, duke mbledhur provat për të zbuluar autorët e kësaj ngjarjeje. Dyshimet janë se sasia e eksplozivit të jetë vendosur poshtë automjetit dhe është shpërthyer me telekomandim, apo me ndonjë mekanizëm tjetër.

Por, ngjarja mbetet ende e pazbardhur dhe policia po punon mbi provat. Blutë e qytetit bregdetar, menjëherë pas ngjarjes, kanë ngritur edhe postoblloqe në hyrjet e qytetit të Vlorës.

Kryetari i Komunës Qendër Vlorë, i zgjedhur nga Partia Demokratike, është vizituar nga prefekti i Vlorës, Besnik Dervishi.

Mbi ngjarjen reagoi edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai dënoi sulmin kriminal ndaj Alfred Berberit, si dhe kërkoi zbardhjen e saj dhe nxerrjen e autorëve përpara ligjit.

Basha e cilëson ngjarjen një akt të shëmtuar, që – sipas tij – është shprehje e pasigurisë publike në vend, e revanshit të krimit dhe, për fat të keq, në këtë klimë frike më të rrezikuarit, sipas tij, janë zyrtarët dhe të zgjedhurit e PD-së.

Pasditen e vonë të së hënës, kryekomunari është vizituar në Spitalin Ushtarak edhe nga një grup deputetësh të PD-së.

“Sot, qeveria dhe krimi i organizuar janë në garë me njëri-tjetrin, se kush e përdor më mirë dhe më shumë tritolin. Shqipëria, për fat të keq, po përjeton sot epokën e tritolit dhe ne duhet të dalim me urgjencë nga kjo situatë dramatike”, u shpreh Astrit Patozi, deputet i PD.

Shpërthimi me eksploziv i automjetit është shfaqur kohët e fundit, veçanërisht në qytetin e Vlorës, si një nga krimet e spitakatura kundrejt zyrtarëve të lartë apo biznesmenëve.

Tritol stacionit të policisë
Ngjarja në Fushë-Krujë. Fatmirësisht pati vetëm dëme materiale

Shpërthim në stacionin e policisë në Fushë-Krujë. Lëndët eksplozive dhe përdoruesit e tyre nuk kanë kursyer as stacionin e policisë në qytetin e Fushë-Krujës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18:50 të ditës së hënë.

Një sasi lënde plasëse është hedhur në oborrin e mjeteve të stacionit policor, nga persona ende të paidentifikuar. Lënda ka shpërthyer, duke shkaktuar dëme materiale.

Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës bëri të ditur se dëmet materiale të shkaktuara janë të vogla, u dëmtua një automjet, ndërsa ngjarja ka vënë në gatishmëri të gjitha forcat policore të këtij stacioni, si dhe ato të komisariatit të policisë së Krujës dhe Drejtorisë së Durrësit.

Në vendin e ngjarjes deklarohet se po vijon kryerja e veprimeve të para dhe hetimi i rastit për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA