
Moratorium i gjuetisë në Shqipëri për një periudhë dyvjeçare.
Është ky projektligji i propozuar nga ministri i Mjedisit, Lefter Koka, duke e motivuar si një masë drastike por të domosdoshme, për të ndalur humbjen e mëtejshme të llojeve të kafshëve të egra, por edhe për të mundësuar kontrollin e gjuetisë, e cila – sipas Ministrisë – gjatë dy dekadave të fundit ka qenë e pakontrolluar, duke ulur numrin e faunës së egër në minimumin kritik.
Në njoftimin e dërguar nga Ministria e Mjedisit, sipas raporteve të tyre, gjatë 10 viteve të fundit ka rënie të ndjeshme për 3 lloje vendase, objekt gjuetie: lepur i egër, dhelpër, thëllëzë mali, në një masë prej 30% deri në mbi 50% , si dhe të popullatave të llojeve të mbrojtura.
Ndër faktorët, që kanë çuar në rënie, Ministria rendit: numrin e lartë të armëve të gjahut në duart e shqiptarëve brenda një afati të shkurtër, 75 mijë të tilla të autorizuara, por edhe armët e vitit ’97, të cilat janë ende në qarkullim.
Një tjetër arsye e rënies së faunës së egër, gjuetia e pakontrolluar, me rreth 50 mijë gjahtarë që veprojnë në kundërshtim me rregullat, hyrja klandestine për gjueti nga shtetas të huaj, ndërgjegjësim shoqëror i ulët, si dhe ekzekutim në shkallë të ulët i gjobave të vëna për gjueti të paligjshme.
Top Channel