Kundër HEC-it në Maqedoni

19/01/2014 00:00

“Aleanca kundër devijimit të lumenjve” dhe qytetarë dibranë kanë protestuar pranë selisë së Kryeministrisë për të mos firmosur marrëveshjen me qeverinë maqedonase për devijimin e lumit Radika.

Sipas një projekti të qeverisë maqedonase, parashikohet ndërtimi i një ujëmbledhësi në trekëndëshin Kosovë-Maqedoni-Shqipëri ku dhe do të ndërtohet një hidrocentral në fushën e Lukovës, por duke devijuar shtratin e lumit Radika, i cili derdhet në kaskadën e Drinit.

“Qeveria e Shkupit ka thënë se shqiptarët le të bëjnë ç’të duan sepse ne do e çojmë Radikën aty ku duam. Radika është jashtë shtetit shqiptar, por brenda Shqipërisë etnike. Nuk guxon askush të shkelë Konventën Ndërkombëtare të Helsinkit. Ujërat janë të shenjta dhe nuk lejohet të preken”, tha Agim Doçi.

“Kjo është një protestë për të vënë para përgjegjësisë qeverinë shqiptare dhe Ministrinë e Energjitikës për të shprehur publikisht qëndrimin e tyre në lidhje me këtë çështje”, theksoi Vehap Kola i Aleancës kundër devijimit të lumenjve.
 
Protestuesit thanë se devijimi i shtratit të lumit Radika do të shkatërrojë florën dhe faunën e vendit tonë, ndaj nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë.

“T’i marrësh ujin, do të thotë t’i marrësh jetën dibranit”, tha ambientalisti Sazan Guri.
Protestuesit i bëjnë thirrje qyetarëve të mbështesin protestat që do vijojnë deri në bërjen transparent të këtij projekti që dëmton sistemin hidrik të vendit tonë. Në rast se nuk do të ketë reagim nga qeveria shqiptare, atëherë të tjera protesta si në rastin e armëve kimike do të mbushin bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta