Ilir YZEIRI – Personalisht nuk e kisha menduar se kritikat e para ndaj kësaj qeverie do t’i bëja kaq shpejt, fill pas më pak se katër muajsh. E di që një pjesë e miqve të mi mendon se kështu vetëm mund të bëj të pakënaqur shumë njerëz, por nuk zgjidh asgjë. Po, edhe këtë e di.

Por, e di gjithashtu, madje jam i vetëdijshëm tani se Edi Rama, mesa duket, qenka i tejngopur me pushtet dhe nuk i intereson aq shumë qeverisja sesa karriera e tij si lider historik. Unë nuk i heq asnjë presje asaj që kam thënë më parë për të; Edi Rama do të hyjë në historinë e re shqiptare si njeriu që largoi nga skena politike aktive dy personazhe që lanë gjurmë jo të dallueshme në këta 20 vjet, përkatësisht Sali Berishën dhe Fatos Nanon. Rama gjithashtu do të përmendet edhe për instalimin e një stili dhe ligjërimi politik europian. Mirëpo, duke vështruar çfarë po shfaq qeverisja e tij në këta pak muaj, unë personalisht e quaj atë një kaos triumfalist. Le t’i marrim gjërat me radhë.

Rendi, biznesmenët dhe fadromat

Njeriu që po bëhet gati si një star kinemaje nga qeveria e Edi Ramës është ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Po pse? Sepse policia e tij u ka shpallur luftë shoferëve shqiptarë që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Natyrisht që është një aksion i drejtë. Qarkullimi rrugor në Shqipëri është vërtet një katastrofë. Një pjesë të fajit e ka edhe pandëshkueshmëria. Por, pjesën më të madhe, anën tragjike të këtij realiteti e përbën mungesa e infrastrukturës rrugore, rrugët pa asnjë shenjë, pa ndriçim dhe në një gjendje lufte. Tani të zgjedhësh rrugën më të lehtë, domethënë të nxjerrësh në rrugë një ushtri me policë e me blloqe në dorë që vënë gjoba dhe që nuk bëjnë dallim, kjo është ana më qesharake e problemit. Me kë trimërohen policët e Saimirit që dalin në rrugë nga tre e nga katër dhe terrorizojnë të bardhë e të zi me kontrolle në orën katër të mëngjesit e ditën për diell? Dhe ministri i Rendit, si një star kinemaje shfaqet nëpër televizione dhe bën pak edhe si garip duke thënë se iku koha e pandëshkueshmërisë. Për çfarë? Për gjobat e policëve rrugorë? Kjo është qesharake. Ditë më parë, kryeredaktori i gazetës “Shekulli”, kolegu im Arben Rrozhani, akuzonte hapur për dhunë ndaj tij nga kontrollet e policëve që dalin natën si banditë, por nga ministri Tahiri asnjë prononcim. Jo, askush nuk ka votuar për një polici të tillë. Bash në kohën kur ministri Tahiri shpaloste sukseset e tij që ishin vetëm gjoba ndaj shoferëve të mjerë, një ngjarje e rëndë ndodh. Vritet në pritë një i dënuar, që paska qenë kapoja i frikshëm i një bande të rrezikshme. Ky i dënuar, në vend që të ruhej në burg special, përfiton edhe leje, dhe ministri Tahiri thotë se nuk kishim dijeni që Gjepali ishte me leje. Jo, ky nuk është rend. Të mburresh me gjobat ndaj qytetarëve të mjerë shqiptarë që po heqin të zitë e ullirit me makinat, kjo nuk është trimëri dhe aq më pak rend. Shoferët shqiptarë po torturohen me radhët e gjata për kontrollin teknik, me çmimin e naftës më të lartin në Europë në raport me rrogat, po masakrohen në rrugët e shkatërruara që la pas qeveria e merhumit që iku, na del tani dhe policia e Saimirit dhe të grin me gjoba. Jo, kjo nuk është polici, ky nuk është rend. Rend do të jetë ai që do të fillojë nga Lazarati dhe nga një plan i qartë për të ndaluar gjakmarrjen dhe për të çliruar fëmijët e ngujuar. Shtet do të jetë ai që do të fillojë nga rregullimi i rrugëve dhe infrastrukturës rrugore. Gjithë të tjerat janë show. Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama ka mbledhur për të disatën herë biznesmenët dhe përsërit nga mëngjesi në darkë të njëjtën frazë se iku koha e taksidarëve të Berishës e kështu pa fund. Natyrisht vëmendja ndaj biznesit është një gjë e mirë, por ne të tjerët duam të dimë se çfarë plani ka kjo qeveri për ta zhvilluar këtë vend dhe se ekonomia përveç biznesit ka dhe konsumatorë, ka dhe njerëz që merren me libra, me atë pak shkencë që bëhet këtu. Nga do t’ia fillojë? Cilët sektorë do të zhvillohen? Si? Çfarë manovre ekonomike do të bëhet? Deri tani ne kemi parë fadroma që prishin dhe vendosja e ligjit në ndërtime është një gjë e shumëpritur. Mirëpo prishjet duhet të shoqërohen edhe me ndërtime, sepse kështu rrezikojmë ta fusim në stres ekonominë

Arsimi, shëndetësia, kultura

Nëse do të pyesnim se çfarë ndodh në këta sektorë, nuk e teprojmë po të themi një rrumpallë, ashtu siç i pëlqen Edi Ramës ta karakterizojë një situatë ku zotëron rrëmuja dhe ku nuk ka asnjë vizion. Reforma në arsim dhe në shëndetësi, sipas titullarëve të këtyre institucioneve na qenkërka vetëm çlirimi i shkollave nga kafetë dhe i spitalit “Nënë Tereza” nga kioskat. Asgjë për kurrikulat, për shkollat apo për shkencën. As edhe një fjalë për përmbajtjen e shkollës, as edhe një fjalë për zhvillimin e shëndetësisë apo për spitalet rajonale. Nga mëngjesi në darkë përsëritet shërbimi falas, ndërkohë që spitalet shqiptare janë në po atë gjendje katastrofike që ishin, korrupsioni po ashtu. Shkollat vijojnë si më parë. E vetmja gjë që ndodh është ndarja e pushtetit mes PS dhe LSI-së. Në këtë pikë, koalicioni vepron si kandar farmacie. Sapo njëra forcë zgjedh drejtorin, vrapon tjetra të emërojë shefin e kuadrit. Ndërsa Ministria e Kulturës duket se të vetmen punë kishte zgjedhjen e një drejtori teatri. Ministresha e Kulturës ruan të njëjtat borde në institucionet e kulturës, pra ata njerëz fanatikë që kishte zgjedhur Berisha, me arsyetimin se në Shqipëri nuk ka të pavarur. Kjo zonjë mund të jetë vetë e varur dhe militante e fshehur, por duhet ta dijë se njerëzit publikë kanë një bindje të caktuar, por nuk janë militantë dhe fanatikë. E kështu, në Gjirokastër shembet një shtëpi historike, në Paris dëgjoj të këndohet një këngë labe nga disa këngëtarë francezë, ndërsa në Shqipëri ka filluar konkursi për të zgjedhur drejtorin e Teatrit të Kukullave. A, më falni, këtë sapo e zgjodhi ministrja dhe e dekretoi me vendim qeverie Kryeministri. Harrova të përmend Televizionin Publik Shqiptar dhe paradën e turpshme që bëri Komisioni i Mediave, duke thirrur në revistë disa nga personalitetet e shquara të vendit për të treguar vizionin për zhvillimin e TVSH-së. Kjo ishte tallja më e madhe. Kam qenë vetë anëtar i atij Këshilli dhe Ligji ashtu siç është i shumëzon me zero anëtarët e gjorë të Këshillit Drejtues. Drejtori, sapo zgjidhet nuk pyet asnjë, por vetëm Kryeministrin që e ka zgjedhur. Mirëpo Komisioni i Mediave i priti në audiencë dhe i dëgjoi 65 kandidatët e gjorë për 11 vende po ashtu të mjera. Turp.

Marre nga gazeta “Shqip”

Top Channel