Devijimi i lumit Radika

19/01/2014 00:00

Ndonëse ditë më parë zëdhënësi i qeverisë Aleksandër Giorgiev shprehu vendosmërinë e qeverisë për të ndërtuar hidrocentralin në Fushën e Llukovës, ministrat shqiptarë në Shkup zotohen se do të bllokojnë ndërtimin e këtij hidrocentrali nëse vërtetohet se me të do të rrezikohet ambienti jetësor në zonën e Dibrës.

Abdilaqim Ademi, ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, thotë: “Kemi detyruar Drejtorinë e Energjitikës që të përgatisë edhe studim për ndikimin në ambientin jetësor. Nëse analizat tregojnë që do të ketë ndikim negativ në eko-sistem, ne nuk do e lejojmë ndërtimin e HEC-it.”

Për ndërtimin e këtij hidrocentrali që shkaktoi shumë reagime, zyrtarët e Shkupit njoftojnë se do të zhvillojnë bisedime edhe me vendet fqinje. Mësohet se qeveria e Maqedonisë ka miratuar vendimin për formimin e grupeve të punës që do të zhvillojnë konsultat.

“Meqë projekti ka edhe ndikim ndërkufitar, ne do të dialogojmë edhe me Kosovën, Shqipërinë e Greqinë me qëllim që ata të japin mendimet e tyre e të jenë pjesëmarrës në vendimmarrje”, shtoi Ademi.

Qytetarët e Dibrës, përmes protestave në rrugë dhe nëpërmjet një peticioni drejtuar qeverisë së Maqedonisë, kanë kundërshtuar projektin për ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Llukovës që parashikon devijimin e rrjedhës normale të lumit Radika dhe kanalizimin e ujërave drejt lumit Vardar që derdhet në Greqi.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta