Al-Assad: Nuk do të jap dorëheqjen!

19/01/2014 08:55

“Largimi nga pushteti nuk është një mundësi”. Me këto fjalë, presidenti Bashar al-Assad minoi që pa nisur shanset për arritjen e një kompromisi në Konferencën e Paqes së Gjenevës, punimet e së cilës nisin javën e ardhshme.

Një konferencë e cila synon të ndërmjetësojë zgjidhjen e krizës siriane, ajo në Zvicër u “sponsorizua” nga këmbëngulja e SHBA-së dhe Rusisë, dy mbështetësve kryesorë të palëve ndërlufutese në Siri.

Megjithatë, në një intervistë për Agjensinë Ruse të Lajmeve “Interfax”, al-Assad theksoi të dielën se nuk ka ndërmend të negociojë qoftë edhe një minutë të vetëm për mundësinë e largimit të tij nga pushteti.

“Nëse do të doja të dorëzohesha, do ta kisha bërë këtë që në fillim”, deklaroi presidenti.

Deklarata e Assad vjen vetëm një ditë pasi grupimi kryesor i kryengritjes konfirmoi pjesëmarrjen e tij në bisedimet e Gjenevës.

Perëndimi përkrah opozitën siriane


Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, përshëndeti vendimin e bllokut
kryesor opozitar të Sirisë për të marrë pjesë në bisedimet e paqes të
Gjenevës, që do të nisin nga java e ardhshme.

“Ky është një vendim kurajoz në interes të popullit sirian, i cili ka vuajtur në mënyrë të papërshkrueshme për shkak të brutalitetit të regjimit të Assad dhe kësaj lufte pa mbarim”, komentoi Kerry.

Kerry nuk ishte i vetmi që konsideroi vendimin e “Frontit Kombëtar Sirian” si kurajoz.

Britania e Madhe dhe Franca gjithashtu mbështetën këtë vendim.

Në Paris, kryediplomati Fabius e konsideroi vendimin e Frontit Kombëtar Sirian si një “zgjedhje tepër të guximshme, e arritur pavarësisht provokimeve dhe akteve të dhunës së regjimit”.

Ministri i Jashtëm i Britanisë, William Hague, përgëzoi këtë “vendim të vështirë”, ndërsa përsëriti qëndrimin e Londrës se presidenti Assad nuk mund të ketë një rol në të ardhmen e Sirisë.

Qëllimi i takimit që do të mbahet në Zvicër është ndërmjetësimi i një marrëveshje për formimin e një qeverie të përkohshme tranzicioni, në gjendje për t’i dhënë fund luftës civile që i ka kushtuar jetën më shumë se 130 mijë personave deri tani.

Bisedimet, opozita siriane pranon pjesëmarrjen

Koalicioni Kombëtar Sirian, fraksioni më i madh i rebelëve të armatosur në luftën 3-vjecare kundër presidentit Bashar al-Assad dhe i mbështetur nga perëndimi, vendosi pjesëmarrjen në bisedimet e paqes në Gjenevë.

Anëtarët e këtij koalicioni votuan pro pjesëmarres ditën e shtunë në përfundim të një takimi 2-ditor në qytetin e Stambollit në Turqi.

Koalicioni ndodhej nën trysninë e ndërkombëtarëve për të marrë pjesë në bisedime. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry i bëri thirrje opozitës siriane, që t’i bashkohet bisedimeve për paqe të javës së ardhshme.

Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për një votë pro pjesëmarrjes”, tha Kerry përpara takimit të Koalicionit Kombëtar Sirian. Ai e përshkroi konferencën e paqes së 21 Janarit në Zvicër, si nisjen e një procesi “që shënon mundësinë më të mirë për opozitën në arritjen e objektivave të popullit sirian dhe revolucionit”.

Në bisedimet e asaj që quhet “Gjeneva 2” do të përfshihet propozimi për krijimin e një qeveri tranzicioni. Rebelët kërkojnë përjashtimin nga cdo rol të Bashar al-Assad në qeverinë e re, ndërsa Damasku refuzon kushtëzimin e bisedimeve.

Ndërkohë, të premten Damasku propozoi një shkëmbim robërish lufte dhe një plan armëpushimi me rebelët në qytetin e Aleppo-s, sheshbeteja më e ashpër e luftimeve mes forcave të presidentit Bashar al-Assad dhe atyre opozitare.

Duke folur nga Moska pas një takimi me homolgun rus, Sergei Lavrov, Ministri i Jashtëm sirian, Ëalid Muallem bëri publike propozimet e qeverisë së tij, propozime këto që mbërrijnë në kohën kur ndërkombëtarët po përpiqen të ulin në të njëjtën tavolinë për të dytën herë në Gjenevë palët në konflikt.

Konflikti 3-vjeçar i armatosur u ka marrë jetën mbi 100 mijë personave, dy milion kanë lënë vendin dhe 6.5 milion të tjerë janë zhvendosur brenda territorit duke shkaktuar një krizë humanitare për gjysmën e popullsisë totale të vendit.

Kombet e Bashkuara bënë thirrje për ndihma urgjente për të parandaluar katastrofën.

Ndërkohë, armët kimike siriane që lanë portin e Latakias në fillim të këtij viti janë drejtuar porteve italiane në Kalabri nga ku do të ngarkohen në anijet amerikane për t’u shkatërruar më pas.

Top Channel