Një ditë pas deklaratës së ‘Albpetrol’ se ka vendosur mbylljen e Marrëveshjes Hidrokarbure ‘Për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e naftës Amonicë’, reagon shoqëria “Phoenix Petroleum”.
“Dëshirojmë të informojmë opinionin publik se këto informacione janë të pavërteta, të pasakta dhe qëllimisht të rreme, të shpërndara për të dezinformuar opinionin publik lidhur me aktivitetin e shoqërisë sonë. Aktiviteti ynë mbështetet në Marrëveshjet Hidrokarbure të lidhura në mënyrë të ligjshme me shtetin shqiptar dhe kompleksiteti i të drejtave dhe detyrimeve të ndërsjella nuk mund të shpjegohet për publikun nëpërmjet informacioneve të njëaneshme e të munguara”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga kompania.
‘Phoenix Petroleum’ i kërkon administratorit të ‘Albpetrol’ të angazhojë strukturat e specializuara për të analizuar situatën e krijuar, si të vetmen mundësi për të mbrojtur interesin publik, zbatuar ligjin e kontratat dhe realizuar premtimet për dhënien fund të ndikimit të interesave personale në menaxhimin e burimeve natyrore në Shqipëri.
‘Shpresojmë që situata të mos përshkallëzohet nëpërmjet angazhimit nga ana jonë të instancave të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve apo atyre të ndjekjes penale’: thuhet në njoftimin e kompanisë.
Top Channel