
Partia Demokratike reagoi sërish për situatën në vend dhe deklaroi se
krimi po arrin kulmin. Deputeti Helidon Bushati akuzoi Ministrinë se po
fsheh ngjarjet, ndërsa i kërkoi punonjësve të Policisë së Shtetit që të
refuzojë përdorimin partiak.
“Mbrëmë një tjetër vrasje tronditi sigurinë publike në vend. Ngjarja bëhet edhe më e rëndë kur të dhëna të sigurta dëshmojnë për një konflikt ku përfshihen interesa ekonomike, të grupeve të lidhura me pushtetin.Partia Demokratike nuk mund të lejojë që vrasjet të bëhen një lajm i zakonshëm në këtë vend.Pak ditë më parë në Torovicë të Lezhës janë shfaqur maskat, dhe kanë grabitur një makinë me 10 milionë lekë. Kjo ngjarje nuk është raportuar nga policia.Të premten, në Tiranë, tek zona e shinave të trenit, ka pasur një tentativë vrasjeje ndaj një punonjësi të Policisë së Tiranës. Edhe kjo ngjarje nuk është bërë publike nga policia.Partia Demokratike i bën thirrje Policisë së Shtetit të ushtrojë detyrën dhe përgjegjësitë e saj dhe të sigurojë rendin publik, e ti shërbejë qytetarëve, dhe jo interesave politike të Ministrit e Kryeministrit”, tha Bushati.
MB përgënjeshtron akuzat e PD
Ministria e Punëve të Brendshme hodhi poshtë akuzat e Partisë Demokratike për mosbërjen publike të disa veprave penale të ndodhura javët e fundit.
Në një deklaratë për mediat, MB thotë se ndaj pretendimit të opozitës për fshehjen e plagosjes së shtetasit me inicialet I.K, kjo është e pavërtetë. “Policia e Shtetit ka shpërndarë komunikatë në media ku njoftohet se në datë 16 janar shtetasi I.K. 19 vjeç është plagosur me një mjet prerës në qendër të Kamzës dhe është dërguar në spitalin ushtarak në gjendje të rëndë shëndetësore, në rrezik për jetën. Policia ka identifikuar autorin dhe e ka shpallur atë në kërkim.
Po ashtu edhe për vjedhjen ndaj shtetasit A.Q dhe atentatin ndaj shtetasit A.S, Ministria e Brendshme sqaroi se “Policia e Shtetit ka shpërndarë komunikatë në media ku njoftohet se në datë 16 janar në fshatin Torrovicë shtetasi A.Q., ka denoncuar se dy persona të paidentifikuar që lëviznin me një automjet ngjyrë blu i kanë kërkuar ti ndihmonte për t’i rimorkuar me makinë dhe më pas i kanë vjedhur një shumë prej 900 mijë lekësh. Policia e Shtetit ka shpërndarë komunikatë në media ku njoftohet se dje rreth orës 21:30, në Fushë – Mëzez, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësit të policisë A.S. me detyrë agjent i policisë gjyqësore, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.
Top Channel