Konkursi për gradë, fitojnë vetëm 19 nga 1000 policë

18/01/2014 00:00

Rezultatet më skandaloze në historinë e policisë janë arritur gjatë
testimit të fundit, i cili vazhdon të zhvillohet në ambientet e
Akademisë së Rendit për të fituar gradën “Kryeinspektor”.

Nga një mijë efektivë policie, të cilët mbajnë gradën “Inspektor” dhe kërkojnë të ngjiten një gradë më lart, vetëm 19 prej tyre kanë mundur të arrijnë dyshemenë e pikëve për të kaluar në procedurat e tjera. Bëhet fjalë për një testim me shkrim që po zhvillohet prej katër ditësh, ndërkohë që efektivët e kanë cilësuar tendencioz këtë “provim”, pasi atyre nuk u janë dhënë pyetje nga programi që u ishte dhënë për t’u parapërgatitur. Në këto kushte, për drejtuesit e policisë ka lindur një pikëpyetje e madhe se ku do të gjenden 600 efektivët për të plotësuar vendet, kur vetëm 19 janë siguruar nga një mijë konkurrentët e parë. Aktualisht kanë mbetur rreth 800 të tjerë të testohen, megjithëse shpresat duken tepër të vakëta. Por, burime pranë policisë shprehen se janë menduar tri versione se si do të veprohet, nëse situata nuk ndryshon sot dhe nesër, që janë dy ditët e fundit të testimit me shkrim.

Testi për gradën “Kryeinspektor”

Sipas të dhënave, rreth një muaj më parë, ashtu siç parashikohet në procedurat e përcaktuara qartë në rregulloren e personelit të Policisë së Shtetit, ishin njoftuar të gjithë efektivët e policisë që hapej testimi për gradën “Kryeinspektor”, pasi në polici pritet të emërohen rreth 600 persona me këtë gradë. Duke u bazuar në këtë njoftim, rreth 1800 efektivë policie, të cilët aktualisht mbajnë gradën “Inspektor”, janë regjistruar, duke u pajisur edhe me programin përkatës që të përgatiteshin për testim. Grada “Inspektor”, e cila i përket rolit bazë, është grada më e ulët në Policinë e Shtetit, veç asaj të “Nëninspektorit”, e cila mbahet për dy vite nga studentët që përfundojnë arsimin bazë në shkollën e policisë. Burimet policore thanë se regjistrimet e punonjësve të policisë kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria, edhe për faktin se me rritjen në gradë, ata përfitojnë edhe rritje në pagë.

Konkurrimi, tri ditët e para

Në këto kushte, gjatë një muaji u regjistruan mbi 1800 punonjës policie dhe u dorëzuan dosjet përkatëse pranë sektorëve të personelit në çdo drejtori policie. Pas kontrollit të dosjeve, mësohet se policia ka skualifikuar disa prej efektivëve, të cilët nuk i plotësonin kushtet e vendosura, ndërsa të tjerët kanë marrë kodin, me qëllim që të paraqiten në testimin me shkrim, i cili ka filluar ditën e mërkurë. Ditën e parë mësohet se janë thirrur për testim rreth 340 punonjës policie, ndërkohë që ditën e dytë kanë qenë pak më shumë dhe e njëjta procedurë është ndjekur edhe dje, e cila ishte dita e tretë. Sipas të dhënave, testimi vijon sot edhe nesër, qëllim që të gjithë efektivët e regjistruar të testohen nëse kualifikohen për procedurat e mëtejshme, që të fitojnë gradën “Kryeinspektor”. Megjithatë, rezultatet e tri ditëve të para duket se kanë qenë jashtë çdo parashikimi të mundshëm. Sipas të dhënave pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, mësohet se konkurrentët duhet të arrinin në test me shkrim kufirin prej 70 pikësh nga 100 të mundshme për t’u kualifikuar për fazat e tjera, ndër të cilët është edhe intervista me gojë.

Rezultati më i dobët në histori

Burimet policore shpjegojnë se pas zhvillimit të testit me shkrim, menjëherë është bërë kontrolli i pikëve dhe shpallja e rezultateve. Ditën e parë mësohet se nivelin e pikëve të paracaktuara nga drejtuesit e lartë të arsimit policor e kanë arritur vetëm dy efektivë policie, pavarësisht se morën pjesë mbi 340 të tillë. Ditën e dytë mësohet se janë kualifikuar vetëm shtatë të tillë, pavarësisht se pothuajse i njëjtë ishte numri i policëve konkurrues. Ndërsa dje kanë arritur të kualifikohen dhjetë efektivë policie. Pra, në tri ditët e para kanë arritur të kualifikohen vetëm 19 efektivë policie, nga 600 që është planifikuar të marrin gradën “Kryeinspektor”.

Policët: Testi, për drejtues të lartë

Këto rezultate kanë qenë zhgënjyese, jo vetëm prej drejtuesve të lartë të policisë, por edhe për konkurrentët. Këta të fundit kanë ngritur dyshimet se testi ka qenë tendencioz, duke pretenduar se pyetjet nuk kishin lidhje me programin që u ishte referuar për t’u parapërgatitur. Ata janë shprehur për gazetën “Shqip”, se shumica e pyetjeve kishin lidhje me menaxhimin dhe drejtimin e policisë, që nuk i përket nivelit të rolit bazë, strukturë në të cilën janë të emëruar. Sipas tyre, këto lloj testimesh bëhen për gradat “Kryekomisar” dhe më lart, por ata dyshojnë se testi është përgatitur nga Drejtoria e Personelit, pa u konsultuar me stafin e arsimimit bazë policor. Gjithashtu, ata shpjegojnë se janë orientuar për të lexuar vetëm mbi arsimimin bazë policor, pavarësisht se në testim ka pasur shumë pak pyetje të këtij karakteri. Në këto kushte, edhe pas dy ditëve të fundit nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim të madh rezultati.

Tri variantet për një zgjidhje

Megjithatë, policia ende nuk ka vendosur se si do të veprojë për të plotësuar vendet vakante për gradën “Kryeinspektor”, pavarësisht se duke u nisur nga eksperiencat e mëparshme, janë menduar tri variante, të cilat do të vlerësohen në fund të fazës së parë, që është testi me shkrim dhe mbaron të dielën. Policia shprehet se variantet kanë dalë nga rastet e mëparshme të konkurrimit, pavarësisht se nuk kanë qenë në nivel kaq të dobët sa ky testim.

Varianti i parë për pikë shtesë

Varianti i parë që është menduar nga policia ka të bëjë me identifikimin e pyetjeve që nuk u janë përgjigjur më shumë se 90 për qind e konkurrentëve dhe t’u shtohen pikët atyre, sikur të ishin zgjedhur. Sipas të dhënave, kjo praktikë është përdorur me pretendimin se pyetja mund të mos ketë qenë e qartë dhe në këto kushte, ata nuk i janë përgjigjur. Nëse do të ndiqet kjo praktikë, për çdo pyetje të tillë do i shtohet nga një pikë çdo konkurrenti dhe do të rivlerësohet niveli i tyre nëse arrijnë dyshemenë prej 70 pikësh, me qëllim që të plotësohen funksionet vakante.

Varianti i dytë, ulja e nivelit

Varianti i dytë, i cili edhe ky ka dalë nga praktikat e mëparshme, është zbritja e nivelit të pikëve të vendosura si dysheme, që para provimit, ku mendohet që niveli të ulet 5-10 pikë. Megjithatë, duke kontrolluar pikët e konkurrentëve të tri ditëve të para, ulja e nivelit të tyre, sërish mendohet se nuk mund të arrihet numri prej 600 fituesish.

Varianti i tretë, testim tjetër

Varianti i fundit që po mendohet nga strukturat policore lidhet me një testim tjetër për efektivët e policisë. Pra, në përfundim të testit me shkrim të jepet një afat i dytë kohor dhe të gjithë efektivët e regjistruar të thirren për të testuar njohuritë e tyre, me qëllim që të fitojnë gradën, për të cilën janë hapur funksione të lira. Megjithatë, se si do të veprohet më tej do të vendoset në fund të testit me shkrim dhe kur të dalë lista përfundimtare e fituesve për fazat e tjera të konkurrimit.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta