Bushati takon Ali Ahmetin

18/01/2014 00:00

Ndërsa në Tiranë kanë nisur reagimet për një kërkesë të mundshme të Maqedonisë për devijimin e burimit të lumit Radika, për t’u shfrytëzuar nga shteti fqinj për ndërtimin e një hidrocentrali në Fushën e Likovës, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në takimin më partnerin shqiptar në qeverinë e Shkupit, kreun e BDI-së, Ali Ahmeti ka folur për herë të parë për këtë çështje.

Në një drekë pune në Pogradec që ai pati me kreun e partisë shqiptare në qeveri, shefi i diplomacisë sonë ka ndarë me zotin Ahmeti qëndrimin se çështja duhet të zgjidhet në zbatim të normave ndërkombëtare dhe marrëveshjeve ndërshtetërore mes dy vendeve.

Megjithëse reagimet në Tiranë kanë artikuluar edhe protestë ditën e diele, Top Channel ka konfirmuar se kërkesa e palës maqedonase nuk i është bërë ende zyrtare palës shqiptare. Por ajo është bërë e pranishme në mediat e vendit fqinj, ashtu sikundër edhe një shtet tjetër fqinj si Greqia është raportuar në media se gjithashtu ka shfaqur pretendime për devijimin e Vjosës. Por as kjo kërkesë konfirmohet nuk i është bërë prezente Tiranës zyrtare.

Në takimin e parë si Minister i Jashtëm me kreun e BDI në Maqedoni, shefi i diplomacisë shqiptare ka vënë theksin tek respektimi i Marrëveshjes së Ohrit, si dokumenti që përcakton të ardhmen e Maqedonisë. Ai vlerësoi rolin e shqiptarëve si faktor stabilizues dhe shtetformues në Maqedoni dhe përsëriti qëndrimin mbështetes të Shqipërisë për integrimin euro-atlantik të vendit fqinj.

Takimi me Ali Ahmetin paraprin turin në rajon të Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati në këtë vit që diplomacia e ka shpallur rajonin prioritet.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta