Shqipëria i kërkon Kinës përfshirjen në programin e mbështetjes për Europën Juglindore dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Takimi i përbashkët ndërqeveritar u zhvillua në Tiranë me pjesëmarrjen e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj dhe nëndrejtorit të përgjithshëm të Departamentit Europian në Ministrinë e Tregtisë së Kinës, Xu Xiaofeng.
“Ne jemi të interesuar të njohim termat e referencës të paketës së propozimeve që lidhen me aplikimin në fondin kinez të kreditimit prej 10 miliardë dollarë, si dhe në atë të investimeve prej 500 milion dollarë dhe shpresojmë se projektet që do të propozohen do të konsiderohen financiarisht në terma të leverdisshëm”, tha ministri Ahmetaj.
Duke ftuar investitorët kinezë në Shqipëri, ministri Ahmetaj u ndal në projekte konkrete si ndërtimi i portit të ri të Shëngjinit si një port jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë rajonin.
Sa i takon sektorit energjetik, pala shqiptare identifikoi edhe një numër të konsiderueshëm projektesh të rëndësishme si ndërtimi i hidrocentraleve mbi lumin Drini i Zi dhe ndërtimi i hidrocentraleve mbi lumin Vjosa.
Top Channel