FBI shpall në kërkim shqiptarin Fabian Meme

16/01/2014 00:00

Agjencia Federale e Hetimit në SHBA (FBI) njoftoi sot se ka shpallur në
kërkim ndërkombëtar shtetasin shqiptar Fabian Meme, i njohur edhe me
emrat Fabjan Mema, Fabjan Maluka, Fabian Meme, Fabian Maluka, për
“konspiracion për të kryer mashtrim me transferta parash, pastrim
parash, falsifikim pasaportash, dhe trafikim me emra firmash të rreme;
mashtrim me transferta parash dhe falsifikim pasaportash.”

Një njoftim zyrtar i FBI i kryer edhe në gjuhën shqipe njofton se Fabjan Meme kërkohet si i dyshuar për pjesëmarrje në një skeme të sofistikuar mashtrimi në internet, ku pjesëmarrës të ndërmarrjes kriminale me baza në Rumani dhe vende te tjera të Europës, postonin njoftime për mallra për shitje në faqe interneti për tregje ankandesh.

“Njoftime të tilla përmbanin përshkrime dhe pamje automjetesh e sendesh të tjera për shitje, por ato sende nuk ekzistonin në të vërtetë. Konsiparatorët që luanin rolin e shitësve, më pas me anë të email-it negocionin me blerësit jo dyshues në Shtetet e Bashkuara. Këta “shitës” i dërgonin blerësve të viktimizuar fatura të rreme me udhëzime për pagesa në llogari bankare të mbajtura nga konspiratorë të tjerë në Shtetet e Bashkuara.

Faturat e rreme ngjanin sikur ishin nga shërbime pagesash të ligjshme në internet. Këta konspiratorë hapnin llogari bankare amerikane me identitete të rreme, duke përdorur pasaporta false të prodhuara në Europë nga konspiratorë të tjerë. Kur viktimat transferonin para në llogarinë e identifikuar në faturat false, konspiratori i lidhur me atë llogari lajmërohej, dhe më pas ky i fundit tërhiqte të ardhurat dhe ia dërgonte me transfertë parash një konspiratori tjetër, bazuar në udhëzimet e dërguar me email,” thotë njoftimi i FBI.

Mbi Memën tashmë ka një fletë arresti federal i lëshuar në Nju Jork.

FBI i bën thirrje njerëzve që kanë informacion mbi të të të kontaktojnë zyrën lokale të FBI-së, ose ambasadën apo konsullatën amerikane më të afërt.

Top Channel