BE, 1.800 shqiptarë kërkuan azil

16/01/2014 00:00

Gjatë 2013-s gati 1.800 shqiptarë kërkuan azil në vendet e BE-së, sipas të dhënave të regjistruara nga Agjencia Europiane për menaxhimin e bashkpunimit të veprimit në kufirin e jashtëm të vendeve anëtare.

Raporti i fundit i Frontex tregon se 719 shtetas shqiptarë kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare në Suedi, 610 në Gjermani, 311 në Belgjikë, 77 në Zvicër dhe 52 shqiptarë kanë kërkuar strehë në Luksemburg.

Raporti më i fundit i Varshavës daton më 16 tetor 2013 dhe merr në shqyrtim periudhën nga 2 në 29 shtator, duke krahasuar të dhënat e 9 muajve të parë të vitit të kaluar. Dokumenti iu paraqit Këshillit të BE-së në dhjetor nga Komisioni.

Në të, numri më i lartë i azilkërkuesve nga vendet përfituese të regjimit pa viza të Ballkanit regjistrohet për Serbinë, e ndjekur nga Maqedonia, Bosnja e më pas Shqipëria dhe Mali i Zi. Ndërsa në krye të destinacioneve renditet Gjermania, për të vijuar më Suedinë, Belgjikën, Zvicrën e Luksemburgun.

Gjithësej numërohen 16.940 azilantë nga Ballkani gjatë 9 muajve të parë të 2013, shifër kjo pothuajse e ngjashme me vitin paraardhës, por Gjermania është marrë me 70% të kërkesave. Krahasuar me 2012 vlerësohet një rritje prej 80% të rasteve për Gjermaninë dhe Suedinë. Danimarka, Britania e Madhe dhe Holanda patën gjithashtu ndikime prej azilkërkuesve nga Ballkani, sipas raportit të siguruar nga TCH.

“Shtetasit nga të 5 vendet e Ballkanit Perëndimor, të përjashtuar për detyrimin e vizave, patën më shumë aplikime për azil krahasuar me periudhën e mëparshme të raportuar. Rritja ishte më e lartë për shtetasit e Bosnjes (148%). Shtetasit shqiptarë ishin i vetmi grup që kishin Suedinë si zgjedhje të preferuar destinacioni (45%). Pjesa e Gjermanisë për kërkesat e azilit në tërësi u rrit në aktualisht 85%. Kthimet nga Gjermania mbeten në normën 1 për çdo 10 aplikime për azil. Zvicra, në anën tjetër, raporton 3 kthime për çdo aplikim të ri azili. Shtetasit nga Serbia dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë kanë ndjekur dukshëm të njëjtën tendencë gjatë 2013, si përsa i takon volumit, ashtu edhe zgjedhjes së destinacionit. Kjo tregon se azili nga këto dy vende kërkohet për konsiderata të ngjashme”, thotë raporti.

Suedia pati gjithesej 402 aplikime për azil gjatë muajit shtator, çfarë regjistron 51% më shumë se gjatë gushtit, ndërsa 88% e serbëve kanë preferuar ndërkohë Gjermaninë. Sipas të dhënave, aplikimet nga Shqipëria kanë pësuar një rënie prej 13% në tëresi.

Por ndërsa kjo rënie vlerësohet me 33% për Belgjikën, me 82% për Luksemburgun dhe 34% për Suedinë, në Gjermani figuron një rritje prej 373% e kërkesave për azil nga shqiptarët dhe 43% rritje për aplikimet e shtetasve shqiptarë në Zvicër.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA