Ka vijuar edhe të mërkurën aksioni i INUK-ut, në zonën e Drimadhës në Dhërmi, ku janë prishur 6 objekte.

Ky aksion ka disa ditë që është shtrirë në Bashkinë e Himarës dhe fshatrat bregdetare në juridiksion të kësaj bashkie. Objektet që janë shembur kanë qenë në ndërtim e sipër, e disa prej tyre ishin të përfunduara dhe që shërbenin si lokale apo dhoma plazhi.

Ndërkohë, për prishjen e objekteve kanë reaguar edhe banorët e fshatit Dhërmi, si dhe ish-kreu i Bashkisë së Himarës, Bollano.

“Të gjitha godinat janë bërë me djersë dhe me gjak. Ne punojmë në Greqi, dy vëllezër, me shumë mund e me djersë. Kemi mbledhur disa parà dhe po vijmë t’i investojmë këtu në Shqipëri”, tha një banor.

“Nuk ka diferencime fare këtu. As nuk të pyesin nëse ke apo jo leje. Kërkojmë mbështetje që nga qeveria vendore këtu, e deri te ajo lokale e Himarës dhe asnjëri nuk thotë që këtu ka një plan për të ardhmen”, tha një tjetër banor.

“Objektet që janë ndërtuar, në cilat toka janë ngritur? Kemi të bëjmë me zaptues tokash, me ndërtime pa leje, me ndërtime që prekin zhvillimet urbane, të cilat janë planifikuar nga qeveria? Të gjitha këto nuk i sqaron askush. Kemi një mungesë transparence të plotë, sa i përket qeverisë”, u shpreh Vasil Bollano, ish-kryetar i Bashkisë së Himarës.

Në zonën bregdetare, nga Llogaraja deri në Himarë, priten të prishen rreth 150 objekte, ndërsa në total – deri në Sarandë, Butrint dhe Ksamil – janë rreth 280 objekte që do të shemben.

Top Channel