Partia Demokratike e ka cilësuar si qesharake dhe si fasadë inaugurimin
e zyrës së re të punësimit në Tiranë nga kryeministri Edi Rama.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp deputeti demokrat Myqerem Tafaj u shpreh se ky shërbim ofrohet që prej 9 muajsh në të gjithë Shqipërinë.
“Qeveria e Partisë Demokratike e ka nisur këtë projekt që në mandatin e saj të parë dhe me pilotim arriti ta realizonte në Tiranë e në Korçë, falë edhe bujarisë së qeverisë Suedeze. Prej 9 muajsh, shërbimi ofrohej në 36 qytetet e vendit. Vendet e reja të punës ishin të vlefshme dhe mund të kontrolloheshin nga qytetarët e vendit, në çdo qytet të Shqipërisë. Mund të gjendeshin on-line, por ndihma për të papunët jepej edhe nga punonjësit e këtij shërbimi në këto zyra”, u shpreh Tafaj.
Sipas tij është qesharake se si për një dekor, për një tapet dhe për një fasadë të re, Qeveria e Ramës të trumbetojë sikur dje ka ndodhur mrekullia.
“Zyra e inauguruar dje, në fakt ofron ato vende pune që ishin ndërkohë të shpallura nga zyra e punësimit në Tiranë. Pra nuk kemi asnjë vend të ri pune, por kemi thjesht një fasadë të re në qytet. Premtimi i Edi Ramës për hapjen e 300 mijë vendeve të punës nuk mund të fshihet me akte televizive dhe me shfaqje me ngjyra”, tha Tafaj.
Top Channel