Një nga të dënuarit për tragjedinë e Gërdecit, ish-drejtori i MEIKO-s Ylli Pinari kërkon lirinë e parakohëshme nga burgu.
Kërkesa është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, ku është zhvilluar edhe seanca e parë. Avokati i Pinarit në këtë proces e ka mbështetur kërkesën për lirim të parakohshëm me gjendjen shëndetësore dhe sociale të dënuarit.
Sipas avokatit, Pinari vuan nga zemra, ndërsa pas divorcit nga bashkëshortja duhet të kujdeset edhe për nënën e tij 86-vjecare e cila është e vetme.
Në seancën e zhviluar paraditen e së mërkurës, përfaqësuesi i prokurorisë, pasi u njoh me kërkesën i kërkoi gjykatës që të kryehej një ekspertim mjeko-ligjor për të vërtetuar pretendimin e avokatit mbi gjendjen shëndetësore të të dënuarit Ylli Pinari.
Për të vendosur mbi këtë kërkesë, gjykata e shtyu procesin për në datën 29 janar, ku pritet të vendoset për ekspertimin mjeko-ligjor.
Aktualisht Pinari është duke vuajtur dënimin me 15 vite burgim si një nga personat përgjegjës për tragjedine e Gërdecit, dënim nga i cili Pinari ka vuajtur gati një të tretën.
Top Channel