Kodheli viziton Athinën

14/01/2014 00:00

Ministrja shqiptare e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, po zhvillon një vizitë zyrtare në Greqi. Pas ceremonisë zyrtare të pritjes, zonja Kodheli u prit prej kryeministrit grek, Andonis Samaras.

“Është tepër domethënës fakti, që Ministria e Mbrojtjes e një vendi të NATO-s drejtohet nga një femër. Ne na keni në krahë, që t’iu ndihmojmë, veçanërisht Ministrinë e Mbrojtjes dhe juve, zonja Kodheli. Keni përpara një sfidë të vështirë dhe Athina do të jetë pranë në rrugën tuaj europiane”, ka thënë Samaras.

Kryeministri grek deklaroi se Greqia dëshiron të forcojë marrëdhëniet me Shqipërinë.

“Është momenti që t’i shikojmë dhe t’i riformatojmë më pozitivisht të gjitha marrëveshjet tona, si në kuadër të NATO-s, ashtu dhe ato dypalëshe. Sipas nesh, gjërat kanë ndryshuar në favorin e përbashkët të vendeve tona”, theksoi Samaras.

Kryeministri grek shtoi më tej se vendi i tij kaloi një periudhë të vështirë, por tashmë ekonomia po rimëkëmbet. “Jemi të sigurt në një të ardhme më të mirë”, përfundoi Samaras.

Nga ana e saj, zonja Kodheli e falënderoi kryeministrin Samaras për pritjen dhe uroi Greqinë për presidencën e Bashkimit Europian. Ajo u shpreh se Shqipëria shpreson ta marrë statusin e vendit kandidat gjatë presidencës greke.

Gjatë qëndrimit të saj në Athinë, zonja Kodheli vendosi një kurorë në monumentin e Ushtarit të Panjohur në sheshin Sindagma. Vizita vijoi me takimin me homologun e saj grek, Dimitris Avramopulos, i cili vlerësoi kryeministrin Rama si një politikan modern dhe largpamës.

“Është fat për Shqipërinë, që ka një politikan të tillë, që i mbishton vlerat e vendit”, – u shpreh Avamopulos. Ndërkohë, në deklaratën për mediat, ministri grek i Mbrojtjes u kujdes të theksojë se ky është një kapitull i ri në bashkëpunimin dypalësh.

Sipas tij, bashkëpunimi do të jetë shumë i vlefshëm për ristrukturimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ku Greqia do të ofrojë të gjithë mbështetjen e saj.

“Ky takim është një mesazh paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë, në funksion të fqinjësisë së mirë. Ne do ju mbështesim fuqishëm në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE”, – tha ministri grek i Mbrojtjes.

Ndërkohë zonja Kodheli, në fjalën e saj, vlerësoi lart bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Ndonëse kjo është vizita ime e parë zyrtare në Athinë, e kam pasur kënaqësinë të takoj homologun dhe kolegun tim Avramopulos në Bruksel, gjatë takimeve të ministrave të Mbrojtjes, si dhe në Tiranë, nëntorin e kaluar. Po ashtu, kam pasur kënaqësinë të takoj edhe zonjën Ianimata, në muajin tetor të vitit që shkoi, në Slloveni. Ky është një tregues i qartë i rëndësisë që dy vendet tona i kushtojnë bashkëpunimit dypalësh. Dëshiroj të përmend gjithashtu takimet intensive të nivelit të lartë, të zhvilluara në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, që nga ardhja në pushtet e qeverisë së re shqiptare, që është një tregues se Greqia mbetet një partner i rëndësishëm politik dhe ekonomik për Shqipërinë”, u shpreh Mimi Kodheli.

Ndërkohë, të mërkurën, zonja Kodheli do të takojë edhe presidentin grek, Karolios Papulias.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA