Papa: Bashkë kundër dhunës

01/01/2014 00:00

Papa Françesku i bëri thirrje mbarë botës, të bashkohet kundër dhunës “porsi vëllezërit e një komuniteti”, në bekimin e tij të parë për vitin 2014.

Duke iu drejtuar pelegrinëve në sheshin e “Shën Pjetrit”, Ati i Shenjtë iu shmang tekstit të përgatitur për të shprehur hidhërim për konfliktet në botë.

“Çfarë po i ndodh zemrës së njeriut? – pyeti ai. – Ka ardhur koha të ndalojmë!”.

Megjithëse nuk iu referua asnjë konflikti në veçanti, ai u kërkoi njerëzve të pranojnë dallimet mes tyre.

“Ne i përkasim të njëjtës familje dhe ndajmë të njëjtin fat. Kjo sjell përgjegjësi për secilin për të punuar dhe kështu bota shndërrohet në një bashkësi vëllezërish, të cilët respektojnë njëri-tjetrin, e pranojnë ndryshimin dhe kujdesen për njëri-tjetrin”.

Papa pritet të bëjë reforma gjatë këtij viti në Kishën Katolike. Ai kërkoi që kisha të ishte më pak e përqendruar te Vatikani dhe t’u jepet shumë më tepër pushtet priftërinjve lokalë.

Top Channel