John Kerry në Lindjen e Mesme

01/01/2014 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, po udhëton në Lindjen e Mesme, në përpjekje për të arritur një “kornizë” për marrëveshjen përfundimtare të paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Ai shpreson të sigurojë konsensus për çështjet kryesore, kësisoj mund të bëhet progres për nënshkrimin e një traktati në muajin Prill.

Çështjet, që do të trajtohen, janë: siguria, kufijtë, Jeruzalemi dhe refugjatët palestinezë. Pak progres është shënuar në bisedimet e drejtpërdrejta, që nisën në Korrik, pas një periudhe bllokimi prej tri vjetësh.

Zyrtarë të Departamentit të Shtetit thanë se Kerry nuk pret arritje të mëdha gjatë vizitës së tij, por ai do të shtyjë palët të bien dakord për dokumentin, sa më shpejt të jetë e mundur.

Vritet diplomati palestinez
Pragë, shpërthen një bombë në kasafortën e zyrës së tij

Një diplomat palestinez humbi jetën, pas një shpërthimi në shtëpinë e tij në Pragë.

Xhamal Al Xhamal, kreu i misionit palestinez në kryeqytetin e Çekisë, u dërgua menjëherë në spital pas shpërthimit, por ndërroi jetë disa orë më vonë, pas plagëve të marra.

Zyrtarë palestinezë thanë se shpërthimi ndodhi, kur Xhamal hapi një kasafortë, të cilën e kishte marrë me vete nga apartamenti, ku kishte jetuar më parë, në të riun, ku ishte vendosur kohët e fundit.

Policia çeke tha se “nuk ka asnjë fakt, që mund ta cilësojë ngjarjen një sulm të planifikuar”. Një grua 52-vjeçare u dërgua në spital, në gjendje shoku.

Top Channel