Francë, aprovohet taksa 75% mbi fitimin

31/12/2013 11:20

Gjykata e Lartë e Francës aprovoi taksën 75% mbi fitimin për ata që fitojnë mbi një milionë euro në vit, duke i dhënë dritën jeshile shndërrimit në ligj të një prej premtimeve kryesore elektorale të presidentit Francois Hollande.

Vendosja e kësaj takse kishte mbetur pezull prej një viti, pasi rritja në këto nivele u konsiderua si anti-kushtetuse prej Këshillit Kushtetues në Dhjetor 2012.

Kjo taksë tepër e lartë do të jetë në fuqi për dy vjet, vitin 2014 dhe 2015.

Si rrjedhojë, disa milionerë kanë braktisur Francën, midis tyre aktori i mirënjohur Gerard Depardieu, të irrituar nga kjo masë e konsideruar prej tyre si një “vjedhje shtetërore”.

Kompanitë e mëdha gjithashtu kanë shprehur kundërshtimin e tyre, ashtu si klubet e futbollit që mbajtën një grevë të përgjithshme më parë gjatë vitit.

Emiri që zotëron klubin e Paris SG ka qenë një prej zërave kryesore që është shprehur kundër politikave të Hollande, duke vënë në dukje se tashmë duhet t’i paguajë futbollistët e tij dyfish, në mënyrë që të marrin të njëjtën pagë.

Taksa aktuale në Francë shkon deri në 50%.

Pavarësisht reagimeve që ka ngjallur, sondazhet tregojnë se shumica e popullsisë e mbështesin këtë masë të qeverisë.

Top Channel