Një grup gazetarësh, që nuk pajtohen me projektligjin e qeverisë për mediat, kanë shpalosur një transparent me mbishkrimin “Jo në emrin tonë”, gjatë debatit parlamentar për ligjin kontrovers, i cili për një kohë të gjatë u kundërshtua jo vetëm nga Shoqata e Gazetarëve, por edhe nga partia shqiptare në qeveri, BDI.
Pas një periudhe të gjatë, deputetët i janë rikthyer draftit, pas marrëveshjes që u arrit ditë më parë, mes Shoqatës së Gazetarëve dhe Qeverisë, që ligji të plotësohet pas miratimit.
Edhe përkundër kësaj marrëveshjeje, opozita e kundërshton edhe më tej projektligjin për mediat, pasi vlerëson se ai i hap rrugë pushtetit për të instaluar njëanshmërinë, duke vendosur kontroll të plotë mbi mediat.
Deputetët e opozitës shqiptare kanë kritikuar ashpër partinë e Ali Ahmetit, BDI, për ndryshimin e qëndrimit, lidhur me ligjin të cilin e vlerësojnë tëpër të dëmshëm për mediat shqiptare.
“Me këtë ligj legalizohet censura dhe është tejet i dëmshëm për shqiptarët, sepse gjithmonë goditet shqipja, veprat audio-vizuale shqipe i bëni maqedonase dhe i kufizoni emetimet e kanaleve nga Kosova e Shqipëria”, tha Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.
“Kultura mediatike tashmë është kriter i ri politik, të cilin na e ka vendosur Komisioni Europian, dhe shpresojmë se me miratimin e këtyre ligjeve do të kontribuojmë në ndërtimin e kësaj kulture politike”, tha Suzana Saliu, deputete e BDI-së.
Projektligji për mediat ndodhet në fazën e fundit në Parlament dhe pritet të votohet menjeherë pas përfundimit të debatit. Sa i përket lirisë së medias, Maqedonia është kritikuar vazhdimisht, vitet e fundit, në raportet ndërkombëtare.
Top Channel