Kurat mujore të Jordanit të vogël me origjinë nga Kukësi arrijnë në
200-300 mijë lekë, po në këtë fund viti ai ëndërron si dhuratë nga
babagjyshi vetëm një makinë.

Nën kujdesin e Zonjës së Parë Odeta Nishani dhe me nismën e shoqërisë civile, në Durrës u organizua një mbrëmje bamirësie në mbështetje të 18 fëmijëve, pacientë të Onkologjikut në QSUT. Zonja e Parë shprehet se këto janë aktivitete mjaft të rëndësishme për ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe shtetit për këtë kategori fëmijësh.

“Në këtë periudhë festash, çdo ditë është një rast i shkëlyqer për të njohur, mbështetur por edhe për të festuar të gjithë së bashku me këta fëmijë. Janë vështirësitë që po hasin këta fëmijë dhe familjet e tyre, nga mungesa e medikamenteve të domosdoshme në disa raste mjaft të kushtueshme, që na mblodhen këtu për të bashkuar përpjekjet tona me qëllim lehtësimin e vuajteve të tyre”, tha Zonja e Parë.

Artistja e madhe e skenës dhe ekranit, Tinka Kurti, e prekur nga gjendja e fëmijëve që vuajnë nga sëmundje të rënda si leuçemia dhe kanceri apelon në mbështetje të tyre dhe familjeve.

“Për një gjest shumë human shumë fisnik, ndihmoni këta fëmijë që kanë të drejtë për të jetuar si të gjithë fëmijët”, tha aktorja e madhe.

Pavarësisht vuajtjeve fizike, pamundësisë për të lëvizur lirisht si çdo fëmijë Jordani buzëqesh dhe falenderon me shpresën se shoqëria dhe shteti do të kujdesen më shumë për të dhe fëmijët që ashtu si ai përballen me sëmundje të rënda.

Top Channel