FATOS BAXHAKU – “… Sipas paragjykimeve, malësorët qysh në fëmijëri,
bashkë me rakinë ‘pinë’ edhe konceptin ‘nder e shpirt barabar’. I pari
është nderi. Ky parim ka zënë rrënjë në zemrën e tyre, nuk ka asnjë
arsyetim që të mund t’ua shkulë.

Ndonjë arsyetimi të kundërt të priftit i përgjigjen: është e vërtetë ajo që thotë prifti, i cili është i detyruar të thotë kështu, por njerëzia nuk na le të bëjmë ndryshe. Për këtë nder është derdhur shumë gjak, rrallëherë vriten për urrejtje, më të shumtët vriten për nder e për burrëri. Është e pabesueshme se për çfarë nderi flitet ndër malësorët, kur secili është sidoqoftë viktimë e një shpagimi për gjakmarrje. Pak javë më parë se unë të shkoja në Kastrat, një kastratas kishte vrarë këtu në Shkodër një të fisit të Tepshit, jo për urrejtje, por vetëm ngaqë një i Tepshit ca kohë më parë kishte vrarë një kastratas. Sapo e kreu bëmën vrapoi në shtëpinë e tij, dhe u prit nga bashkëfshatarët me aq shumë nderime sa është e vështirë të përshkruhet. Të gjithë i thërrisnin: ‘Të lumtë pushka!’. Tanimë, si thonin vetë kastratasit, bajraku i tyre, më parë i përdhosur, ishte kthyer faqebardhë. Një vrasës i tillë, trim i çartur, meriton vendin e parë në gostitë dhe festat më të ndritshme. Këta gjakatarë të pamëshirshëm shkojnë në meshë dhe rrahin gjoksin; humbin një vit për të drejtën e rrëfimit (si të vendosin peshkopët shqiptarë), pastaj kthehen me një krenari të thekshme, sa nuk e lënë aspak të kënaqur famullitarin e mjerë. Këto gjakmarrje e këta gjakësorë shtohen përditë, për asgjë tjetër nuk flitet mes tyre, veçse për punë gjaku…”. (Letër e atit jezuit Giacomo Jung, 29 dhjetor 1882; në: At Zef Valentini, Ligji i maleve Shqiptare, Tiranë, Plejad 2007).

Dhe ja ku jemi tash, diçka ma shumë se 130 vjet më pas, duke rrahur të njëjtën temë. Tani kemi ndryshuar goxha, kemi Mercedes, kemi celularë, flasim në Skype në Facebook e Twitter, madje ëndërrojmë që së shpejti të bëhemi europianë të vërtetë, njësoj si një gjerman, një francez apo një danez, porse ja se paskemi edhe një pjesë tonën që ne shpeshherë, në mos qoftë spektakolare, e quajmë si të dorës së dytë, si një gjë që ndodh larg nesh, si jo e jona por e dikujt tjetër, që jeton ndër shkrepa të harruar, andej ku sundon vetëm era e akullt e Veriut.

Shkas për këtë shkrim u bë një kronikë e transmetuar thuajse në të gjitha rrjetet tona të shumta kombëtare vetëm para pak ditësh. Në Shkodër, në një tryezë të rrumbullakët, apo ovale quajeni si të doni, ishin mbledhur goxha njerëz të shqetësuar për fenomenin e kahershëm të gjakmarrjes. Nuk është as hera e parë dhe, me sa duket, as e fundit. Mbase për shkak të postit që mbajnë, mbase për shkak të të bërit lajm, mbase se ata ishin miqtë e vetëm nga Tirana, rolin e protagonistëve e luajtën vetëm tre vetë. Më i pari ishte Ambasadori Britanik. Në shqipen e tij të çuditshme, ai u tregua shumë racional, sikurse janë që kaherë britanikët. Pak a shumë ai tha: Kini kujdes se me gjakmarrjen dhe viktimat e saj po bëhet një biznes i pisët, nëpërmjet të cilit shoqata, individë, apo kushedi se çfarë tjetër, po mundohen të vjelin para duke i mëshuar dhe mbase duke u munduar që ta mbajnë gjallë për qëllime përfitimi gjakmarrjen si në kohën e Lekës. Së dyti ai tha, që shumë prej nesh, shqiptarëve, kanë kërkuar strehim, në emër të historive gjakmarrjesh të stisura. Kryeprokurori Llalla, tha të vetmen gjë që ai mund të thoshte. Ai do t’i kërkojë shumë shpejt vartëseve të tij në rrethet e Veriut që të minimizojnë sa të jetë e mundur vrasjet, të cilat më pas – sipas tij – gjenerojnë gjakmarrje. Avokati i Popullit, Totozani, bëri edhe ai aq sa mund të bënte një terren ku nuk ka edhe aq tagër ligjor.

Mbase ka qenë faji i kolegëve tanë reporterë, mbase gjakmarrja është një gjë aq e bashkëngjitur me ne saqë nuk përbën më lajm, mbase në atë mbledhje në Shkodër nuk është dëgjuar shumë zëri i komuniteteve fetare, i mësuesve, i sociologëve, i kriminalistëve, i psikologëve, i vetë të ngujuarve, mbase ne vetë ishim ato ditë fort të zënë se nëse Holanda e kthen mendjen për statusin tonë europian, mbase… Porse të gjithë protagonistët e atij takimi, për dreq, se si na u dukën, disi si të trishtë, të vetmuar e të pafuqishëm në betejën e tyre fisnike, ndonëse salla e vogël që stërmbushur.

Si do që të jetë, gjakmarrja sipas Kanunit, dhe më keq akoma, ajo e shpërfytyruara, ajo që fsheh kriminalitetin pas një mijë e një lidhjesh psikologjike etike e historike, përbën një handikap të madh. Mbase është treguesi më i madh i një populli që një këmbë e ka tashmë në Europë dhe tjetrën në zymtësinë dhe mjegullat e kohërave të shkuara.

Janë hedhur ide dhe janë bërë konferenca nga më të ndryshmet lidhur me zgjidhjen e problemit. Nganjëherë është shkuar edhe aq larg sa që të kërkohet edhe ekspeditë ndëshkimore e armatosur ndaj fajtorëve. Të gjitha përpjekjet titanike të mësuesve të thjeshtë, të klerikëve të të gjitha besimeve, të njerëzve që u dëgjohet fjala, kanë shkuar deri më tani, me ndonjë përjashtim të rastit, më kot. Puna është se gjakmarrja ende në shumë vise konsiderohet si një “nder i vënë në vend”. Ai që vret në emër të gjakmarrjes, nuk ka aspak turp nga njerëzit që e rrethojnë, përkundrazi, njësoj si në letrën që lexuam më sipër, atij i thonë: Të lumtë pushka, he burrë i dheut! Në këtë kuptim ai nuk është aspak fajtor para njerëzisë. Mund të shkojë në burg? Ani he burra! Burgu për burrat asht!

Që të mund ta kuptojmë këtë lloj të veçantë nderi, edhe në këtë prag të 2014, na duhet të rikthehemi edhe një herë mbrapa, te Kanuni i Lekës, apo i kujtdo qoftë. Vetëqeverisja, vetëgjykimi sipas rregullave lokale ka ndodhur dhe është zbatuar në Shqipëri, sa kohë që ndër male, fole e shqiptarizmës shqiptare, nuk zbatohej asnjë lloj autoriteti shtetëror. Ka ndodhur kështu më së shumti gjatë shekujve të sundimit të Perandorisë Osmane. Kanunet, të cilat sot përfliten si shkaktarë të gjakmarrjes dhe jo si rregullatorë të saj të mrekullueshëm, sigurisht që do të viheshin në zbatim sa kohë që nuk kishte një shtet të përqendruar. Kanunet ishin frenat e krimit dhe jo nxitësit e tij. Mirëpo shoqëritë evoluojnë. Shqipëria dashur pa dashur bëhet pjesë e një loje të madhe. Në këtë lojë bëjnë pjesë edhe malet dikur të harruara, edhe njerëzit e tyre. Sa kohë që shteti do të duket këtyre anëve vetëm në formën e kryetarëve pa tagër e pa para të komunave, sa kohë që prezenca e tij nuk do të ndihet deri në asht të secilit prej malësorëve, sa kohë që rrugët e këtyre anëve nuk do të çojnë asgjëkundi, sa koha që shpresa për zhvillim do të jetë vetëm zbritja e detyrueshme në fushë, sa kohë që punësimi i tyre të jetë vetëm një ëndërr e bukur, sa kohë që këtë punë ta kenë në dorë vetëm shoqatat e pajtimit të gjaqeve dhe jo ligji, aq kohë do të rrimë e të shohim se si njerëz të pafuqishëm flasin për gjakmarrjen si një plagë e vjetër që vjen nga Kanuni?!

Me që ra fjala për shoqatat e shumta të pajtimit të gjaqeve. Ato punojnë shumë dhe bëjnë mirë, shumë prej tyre kanë pajtuar aq e aq gjaqe, mirëpo edhe këto e kanë një dobësi të madhe. Edhe këto nisen nga rregullat e vjetra, gjysmëmesjetare të faljes së gjaqeve, edhe këto nuk nisen nga ligji aktual, por nga nenet e nga sythet e Kanunit. Ende edhe sot e kësaj dite, bëhet fjalë për blerjen e gjakut dhe çmimin e tij e caktojnë misionarët e pajtimeve. Duhet të vijë dita që vrasja të jetë një turp i madh, për atë që e bën, për familjen e tij, për të tërë ata që e rrethojnë, paçka se e bëri për gjak apo jo. Paraja për një të vrarë, sado fukarenj që të jemi, është një turp i madh, një mungesë pa fund dinjiteti. Që kjo të mos ndodhë më duhet të jemi të gjithë bashkë, dhe jo ta lëmë këtë punë vetëm në duart e Policisë, Prokurorisë apo Drejtësisë. Shkollimi, rrugët, shpresa për të ardhmen, të bërit e Shqipërisë një, forcimi i edukatës së ligjit, krijimi i një shoqërie që e sheh me përbuzje dhe aspak me nderim vrasësin e të gjitha llojeve, me pak fjalë prezenca e shtetit dhe krijimi i ndjenjës se ato anë nuk janë më vetëm, si në kohë të “nemces”, kjo është ajo që duhet të arrijmë.

Eliminimi i gjakmarrjes nuk është një gjë e pamundur. Njësoj shqiptar si ne ishte edhe Ahmet Zogu, i cili e reduktoi ndjeshëm edhe falë çarmatimit të popullsisë. Duam apo nuk duam, shqiptar si ne ishte edhe Enver Hoxha. Këta të dy, me mjetet e dhunës që kishin në dispozicion, e mekën gjakmarrjen. Sot ka ardhur koha që të dëshmojmë se demokracia që duam të ndërtojmë është ku e ku më e fortë se secila prej diktaturave. Ka ardhur koha që të bindim veten dhe të tjerët se forca e ligjit, e moralit, e etikës europiane nuk ka asnjë lloj lidhjeje me shprehjen patetike: Të lumtë pushka për gjakun që more! Kjo sfidë, kjo e gjakut, është ku e ku më e vështirë, por edhe shumë herë më domethënëse, se sa të gjitha provimet në letër që tashmë i kemi dorëzuar “zyshë” Europës. Kjo, e gjakut, është sfida jonë e vërtetë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel