Zbulohet drafti i Këshillit

16/12/2013 00:00

Në draft-konkluzionet e Këshillit të BE-së, siguruar nga Top Channel, flitet ende për t’i përcjellë samitit europian të së enjtes vendimin për dhënien e statusit kandidat ndaj Shqipërisë.

“Në dhjetor 2012, për të vendosur për dhënien e statusit kandidat, Këshilli ftoi Komisionin për të raportuar sa më shpejt progresin e nevojshëm të arritur, duke marrë parasysh gjithashtu veprimet e mëtejshme të Shqipërisë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë hetimet proaktive dhe ndëshkimet për çështje të tilla. Në këtë kuadër, Këshilli mirëpret miratimin nga Shqipëria të reformave kyçe të gjyqësorit, administratës publike, masat reformuese parlamentare me konsensus ndërpartiak si dhe mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve parlamentare në qershor. Këshilli mirëpret veprimet e mëtejshme të marra në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe vendosmërinë e qeverisë së re për të intensifikuar përpjekjet në këtë fushë. Në kuadër të progresit të Shqipërisë, Këshilli vendos t’i japë Shqipërisë statusin kandidat, subjekt për t’u konfirmuar nga Këshilli Europian”.

Ky është i vetmi paragraf, ende jo-përfundimtar për Shqipërinë, meqenëse vijojnë negociatat mes 28 shteteve anëtare, gjatë natës në nivel ambasadorësh, e të martën, deri në mbrëmje, në Këshillin e Ministrave për çështjet e përgjithshme.

Për çeljen e negociatave, drafti paraprak i Këshillit vlerëson nisjen e dialogut të nivelit të lartë mbi prioritetet kyçe, dhe se vendimi për këtë hap do të merret në varësi të plotësimit të tyre, si dhe të vlerësimit të Komisionit për Shqipërinë.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel